Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka dalë sërish para gazetarëve të martën, në kohën kur duhet të ishte në Gjykatën e Posaçme GJKKO ku është thirrur për seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë ndaj tij.
Ai e cilësoi hetimin ndaj tij si procesin më politik ndonjëherë dhe si një goditje për reformat e thella, që siç tha ka marrë kur ishte në krye të qeverisë.
“Siç e dini, Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe unë u them demokratëve kudo që janë, se me aktin e fundit, ai ka shpallur një luftë totale, për të cilën ne do i përgjigjemi me të gjithë forcën dhe mundësitë tona. Procesi është procesi më politik i këtij shekulli. Në proces nuk është vetëm Sali Berisha dhe familjarët e tij, jo, absolutisht. Në proces janë reformat epokale të PD-së, të cilat goditen nga një gardë pretoriane, të cilat goditen nga falanga politike krimi, në një analizë që dëshmon urrejtjen e tyre për reformat e tregut të lirë dhe demokracisë që ka ndërmarrë PD në vite. Çdo demokrat duhet të ndjehet krenar me to”, tha Berisha. /Telegrafi/