Është përuruar sot objekti ri i Qendrës për Pajisje me Dokumente e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, e ku do të mund të kryhen shërbimet e pajisjes me letërnjoftime, patentë shoferë dhe regjistrimi i veturave.
Shërbimi i gjendjes civile po ashtu do të vendoset në këtë qendër.
Në përurim morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi dhe kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.
Dy zyrtarët institucionalë u shprehën se bashkëpunimi midis dy institucioneve që ata drejtojnë ka qenë i frytshëm dhe kjo qendër është rezultat i këtij bashkëveprimi.
“Ky do të jetë investimi i parë pilot-projekt dhe të shohim në të ardhmen shërbimet e njëjta të ofrojmë në nivel të Republikës së Kosovës. Ky investim është investim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, cili falë përkrahjes nga ana e Komunës së Obiliqit që i ka dhanë hapësirën, ne keni investuar 270 mijë euro”, tha ministri Gashi.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, shprehu mirënjohjen për këtë investim që do t’ju mundësojë qytetarëve të Obiliqit që t’i kryejnë të gjitha shërbimet në njëjtën qendër.
“Falënderoj shumë Ministrinë e Punëve të Brendshme, në këtë rast ministrin, sekretarin, drejtorin. Projekti ka filluar vitin e kaluar dhe fatmirësisht këtë vit u përmbyll. Kjo qendër ofron shërbime për të gjithë qytetarët e komunës tonë, nga certifikata deri te pasaporta dhe ky është modeli i parë në nivel vendi që qytetari i Obiliqit do t’i gjejë të gjitha shërbimet në një objekt”, ka thënë ai.
Objekti është ndërtuar afër ndërtesës së kuvendit komunal në Obiliq.