Udhëheqësit botërorë mblidhen sot në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, takimi i 71-të vjetor.
Njëqindetridhjetepesë udhëheqës të shteteve dhe qeverive dhe dhjetëra ministra do të zhvillojnë takime deri më 26 shtator.
Në agjendë janë krizat globale, si: konflikti në Siri, sulmet e ekstremistëve islamikë dhe zhvendosja e miliona njerëzve nga luftimet dhe varfëria.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do t’i adresohen Asamblesë sot, për herë të fundit.
Shumë udhëheqës janë mbledhur një ditë më herët, për të ndjekur një samit të OKB-së për refugjatët dhe migrantët.
Në këtë samit është miratuar deklarata për sigurimin e një përgjigjeje më të koordinuar dhe më humane për 65.3 milionë njerëzit e zhvendosur.