Namazi i xhumasë në fshatin Bibaj të Ferizajt mbahet ndryshe nga xhamitë tjera. Përveç ‘dersit’ që mban imami, në këtë xhami çdo të premte mbajnë ligjërata ekspertë të fushave të ndryshme.
Banorët e Bibajt deri më tani kanë pasur rastin të dëgjojnë për tuberkulozin, sëmundjet e zemrës por edhe kanë dëgjuar ligjërata për kujdesin në trafik.
Këtë iniciativë të imamit të xhamisë e kanë mirëpritur disa nga xhematlinjtë e kësaj xhamie, por ka të tillë edhe që e kundërshtojnë këtë ide.
Madje, disa nga ata që shkuan të premten në këtë xhami kanë deklaruar se tani më shumë se kurrë duhet që në xhamia të flitet për fenë dhe t’i tregohet botës që veprimet terroriste që po bëhen në emër të islamit nuk janë veprime të besimtarëve të kësaj feje.
Imami i xhamisë, Fehmi Haxhiu, tha për KosovaPress se xhemati ka nevojë edhe për trajtim të temave tjera, dhe jo vetëm për tema fetare.
Por se sa është mirëpritur që në xhami të flasin njerëz tjerë për tema tjera, Haxhiu thotë se prezenca e një numri të madh të xhematit lë të kuptojë se atyre u interesojnë edhe temat tjera veç temave fetare.
Njëri prej xhematlive të kësaj xhamie, Lutfi Hyseni tha për KosovaPress se ligjëratat duhet të jenë të fesë islame.
Javën më parë në këtë xhami është mbajtur një ligjëratë për tuberkulozin.
Habib Hyseni tha se doktori nuk duhet të mbajë ligjërata në xhami.
“Për fe, çka lyp doktori këtu le t’i kshyr atje pa pare e ka ambulantën e vet”, thotë Hyseni.
Por për dallim prej dy bashkëvendasve të tij, Faruk Beqirit, i ka pëlqyer ligjërata për tuberkuloz.
Beqiri tha se gjithçka sa i përket fesë është e lidhur edhe me mjekësinë.
Ndryshe në këtë xhami kanë deri tani kanë ligjëruar doktorë të kardiologjisë, tuberkulozit, si dhe ligjërata të zëvendësdrejtorit të Policës rajonale në Ferizaj, rreth aksidenteve dhe pasojave të tyre.