Site icon Telegrafi

Në një shkollë në Pejë, ndalohet me vendim përdorimi i telefonave

Për dallim nga nxënësit e shkollave të tjera të Pejës, nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë nuk do shihen më me celular në duar.  Jo pse ata kanë hequr dorë nga përdorimi i tyre, por për kohën sa ata do të jenë brenda objektit shkollorë, nuk do ti përdorin ata.

Erza Shala, nxënëse, ka thëne se ky vendim i marrë është mirëpritur. Kjo, pasi sipas saj,  mospërdorimi i celulareve ne orët e mësimit po ndikon pozitivisht.

“Është gjë e mirë pasi ne nuk i keqpërdorim telefonat dhe përqendrohemi në mësim”, deklaroi për RTV Dukagjinin, nxënësja Erza Shala.

Sipas këtij organizimi, në secilën klasë gjendet një dollap në të cilin nxënësit i fusin celularët e tyre,  për  aq kohë sa ata janë në shkollë, dhe se mund ti marrin pas përfundimit të mësimit.

“Është shumë vendim i mirë, pasi të gjithë e dimë se telefonat janë në një vend të sigurt brenda klasës dhe menjëherë pas orës mësimore mund t’i marrim përsëri”, deklaron nxënësja tjetër Anisa Qeta, përcjell Telegrafi.

Drejtori i kësaj shkolle, Artan Demaj, flet më shumë rreth kësaj iniciative, e cila është ndërmarr  në pajtueshmëri  në mes të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve.

“Fillimisht kemi diskutuar në këshillin e mësimdhënësve, ku janë dakorduar të gjithë mësimdhënësit që të marrim një vendim të tillë. Pastaj kemi diskutuar edhe më këshillin e nxënësve, ku kemi pasur përkrahjen edhe të nxënësve. Pa mbështetjen e të gjitha palëve sigurisht se ky vendim nuk do të mund të merrej”, shprehet drejtori Artan Demaj.

Demaj  ka shtuar se nxënësit në rast nevoje, do të kenë mundësi të përdorin telefonin e shkollës. Sipas tij, edhe prindërit mund ti telefonojnë në numrin e shkollës fëmijët  e tyre./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version