Shkencëtarët kanë identifikuar dy minerale që nuk ekzistojnë në Tokë.
Mineralet erdhën nga një pjesë e meteoritit 70 gramësh, i cili u zbulua në Somali në vitin 2020 dhe është meteori i nëntë më i madh i gjetur ndonjëherë, sipas një njoftimi nga Universiteti i Albertës, transmeton Telegrafi.
Chris Herd, kurator i koleksionit të meteoritëve të universitetit, mori mostra prej shkëmbit hapësinor që të mund ta klasifikonte. Ndërsa po e ekzaminonte, diçka e pazakontë i ra në sy – disa pjesë të mostrës nuk ishin të identifikueshme me mikroskop. Më pas kërkoi këshilla nga Andrew Locock, kreu i Laboratorit të Mikrosondeve Elektronike të universitetit, pasi Locock ka përvojë në përshkrimin e mineraleve të reja.
“Ka të paktën dy minerale të reja”, tha në një deklaratë Herd, një profesor në departamentin e shkencave të Tokës dhe atmosferës në universitet. “Ishte fenomenale. Shumicën e kohës duhet shumë më tepër punë se kaq për të thënë se ka një mineral të ri”, deklaroi ai.
Emri i mineralit – elaliite – rrjedh nga vetë objekti hapësinor, i cili quhet meteori, “El Ali” pasi u gjet pranë qytetit El Ali në Somali, raporton cnn.
Herd e quajti elkinstantonitin e dytë pas Lindy Elkins-Tanton, nënkryetare e Iniciativës Ndërplanetare të Universitetit Shtetëror të Arizonës. Elkins-Tanton është gjithashtu një profesoreshë në Shkollën e Tokës dhe Eksplorimit të Hapësirës të atij universiteti dhe hulumtuese kryesore e misionit të ardhshëm të NASA-s, Psyche.
“Lindy ka bërë shumë hulumtime rreth asaj se si formohen bërthamat e planetëve, si formohen këto bërthama të nikelit të hekurit dhe shembulli më i afërt që kemi janë meteorët e hekurit”, tha Herd dhe shtoi se “ishte e arsyeshme të emërohej një mineral sipas asaj dhe të njihej kontributi i saj në shkencë”.
Miratimi i Shoqatës Ndërkombëtare Mineralogjike për dy mineralet e reja në muajin nëntor të këtij viti “tregon se puna është e fuqishme”, tha Oliver Tschauner, një mineralog dhe profesor i kërkimit në departamentin e gjeoshkencës në Universitetin e Nevadës, Las Vegas.
“Sa herë që gjeni një mineral të ri, do të thotë se kushtet aktuale gjeologjike, kimia e shkëmbit, ishin të ndryshme nga ajo që ishte gjetur më parë”, tha Herd. “Kjo është ajo që e bën këtë emocionuese: Në këtë meteorit të veçantë ju keni dy minerale të përshkruara zyrtarisht që janë të reja për shkencën”.
Gjetjet u prezantuan në muajin nëntor në Simpoziumin e Eksplorimit Hapësinor të Universitetit të Albertës. Zbulimet zgjerojnë këndvështrimin tonë mbi materialet natyrore që mund të gjenden dhe mund të formohen në sistemin diellor.
Ndërkohë, studiuesit janë ende duke analizuar mineralet – dhe potencialisht një të tretë – për të zbuluar se cilat ishin kushtet në meteorit kur u formua shkëmbi hapësinor. Dhe mineralet e sapo zbuluara mund të kenë implikime emocionuese për të ardhmen. /Telegrafi/