Ligjet mund të jenë befasuese, për të mos thënë të çuditshme.
Këtë e dëshmon edhe një lajm, sipas të cilit një kryebashkiake e një fshati francez e ka “ndaluar” vdekjen gjatë fundjavave – për një arsye.
Kryetarja e fshatit francez të Gresle në rajonin e Loire ka nxjerrë një dekret që “ndalon” qytetarët e saj të vdesin gjatë fundjavave dhe festave, përcjell Telegrafi.
Dhe masa e jashtëzakonshme, megjithatë, ka një simbolikë: ajo e ka bërë si reagim ndaj mungesës akute të mjekëve.
“Një vdekje e fundit të dielën ka vërtetuar absurditetin e një sistemi, të cilit kryetari i përgjigjet me një urdhër absurd”, ka thënë Isabelle Dugelet në një deklaratë.
Sipas mediave, më 1 dhjetor u deshën dy orë e gjysmë për të gjetur një mjek kur ndërroi jetë një banor i moshuar i një shtëpie të kujdesit për të moshuarit.
Dugelet argumentoi se kjo përfaqësonte “një mungesë respekti për të ndjerin dhe familjen e tij”.
Këshilli i qytetit shtoi se dekreti kishte për qëllim të tërhiqte vëmendjen për “situatën katastrofike shëndetësore” në Gresle dhe fshatrat fqinje – pasi zona vuan nga një mungesë akute e mjekëve. /Telegrafi/