Këngëtarja nga Shqipëria, Rezarta Shkurta, ditën e djeshme (e hënë) i ka dhënë fund beqarisë duke kurorëzuar dashurinë me martesë me partnerin e saj, Ermal Hoxhën.
Të njëjtit, që janë së bashku prej shumë vitesh, janë përgatitur që dasma e tyre të jetë e përsosur me çdo detaj që mund ta bënte edhe më unike.
Në bazë të disa pamjeve që ka publikuar, ceremonia e tyre është zhvilluar në një nga bregdetet shqiptare në një jaht luksoz e me një dekor të mrekullueshëm.
Artistja mes tjerash ka ndarë edhe unazën prej diamanti, të cilën e ka pranuar tanimë nga bashkëshorti.
“Një dashuri nga dashuria ime. E punuar me shumë dashuri”, ka thënë ajo.
Rezarta dhe Ermali ndërkohë janë prindër edhe të një vajze të quajtur, Hera, e cila erdhi në jetë në tetor të vitit 2013.
Shkurta nga ana tjetër prej vitesh ka bërë një tërheqje nga skena dhe projektet muzikore. /Telegrafi/