Site icon Telegrafi

Në nëntë muajt e parë të këtij viti, kanë hyrë 1 miliardë e 470 milion euro në Maqedoni nga mërgimtarët

Foto ilustruese

Në vitin 2022, vetëm në nëntë muajt e parë kanë hyrë 1 miliardë e 476 milionë euro para nga mërgimtarët, gjegjësisht remitenca. Kështu flasin të dhënat e Bankës Popullore. Por këto të hyra janë vetëm përmes kanaleve zyrtare pa përfshirë paratë kesh, apo shpenzimet që mërgimtarët i bëjnë gjatë qëndrimit të tyre në vend. Njohësit e rrethanave ekonomike thonë se ky numër lëviz nga viti në vit dhe zakonisht deri në fund të vitit vlera e këtyre mjeteve arrin deri në një të katërtën e prodhimit bruto vendor.

“Vlera e këtyre mjeteve financiare lëviz nga viti në vit, por zakonisht në fund të vitit arrin deri në një të katërtën e produktit të brendshëm bruto në vendin tonë, ose dyfish I flukseve hyrëse I investimeve të drejtëpërdrejta të huaja në RMV. Kjo vlerë mund të jetë Akoma më e madhe sepse nga burime të ndryshme, niveli I tyre është I ndryshëm gjë që flet se diçka nuk është në rregull, pra nuk është I saktë… Një nga arsyet më kryesore është se nuk regjistrohen të gjitha transakcionet e realizuara dhe një pjesë e tyre mbetet jashtë sistemit pagesorë…”, tha Nasir Selimi, ekonomist.

Ekonomisti Nasir Selimi sqaron rëndësinë e remitencave në ekonominë e një vendi, por nënvizon se Maqedonia e Veriut shumë pak ka punuar për këto mjete. Ai thotë se ato mjete nuk janë kanalizuar dhe nuk janë shfrytëzuar me efikasitet dhe në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Nëpërmjet këtyre të hyrave valutore mbulohet deficiti tregtarë I vendit, krijohen rezervat devizore, mbahet stabil denari, me një fjalë mbahet gjallë ekonomia e vendit. Pra, nga remitancat kemi hyrje valutore të njëanshme në vend“, shtoi ai.

Për dallim nga viti i kaluar, të hyrat e mërgimtarëve, vetëm nëpërmjet kanaleve zyrtare janë rritur për mbi 300 milion euro./Alsat.mk

Exit mobile version