Në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencitë e saj, 104 persona janë konfirmuar se janë të infektuar me COVID-19, prej të cilëve katër janë në kabinetin e ministrit të kësaj ministrie, Agim Veliut.
Ministria e Punëve të Brendshme, në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se gjashtë nga të infektuarit janë duke u trajtuar në spital, kurse të tjerët janë duke qëndruar në izolim nëpër shtëpi.
“Deri me sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencitë e MPB-së, gjithsej janë të infektuar 104 zyrtarë me Covid -19, ku nga ta 20 zyrtar janë nga stafi civil, 4 zyrtarë nga kabineti i ministrit si dhe 80 janë zyrtarë policor. Sipas raportimeve gjendja e tyre është stabile ku të gjithë të infektuarit janë të vetë izoluar në shtëpitë e tyre, në përjashtim të 6 zyrtarëve policor që gjenden në spital për trajtim”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dërguar Telegrafit.
Përveç atyre që janë konfirmuar se janë infektuar, të tjerët të cilët janë raste kontakti janë vet izoluar në shtëpi.
“MPB është e informuar se gjendja e tyre është stabile për momentin. Po ashtu, disa zyrtarë të cilët janë raste të kontaktit me persona e infektuar me COVID-19, janë në vetë izolim por pa simptome”, thuhet në përgjigje. /Telegrafi/