Telegrafi

Në morg, gruaja tha se është ai, pastaj e varrosën – burri i saj kthehet në shtëpinë e tyre në Honduras, katër ditë pas funeralit

Një burrë i ‘vdekur’ është kthyer katër ditë pas varrimit të tij, për të tronditur gruan e tij e cila identifikoi gabimisht një trup në morg dhe varrosi një viktimë të panjohur të coronavirusit në Honduras.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Victoria Sarmiento kishte kaluar disa ditë në kërkim të burrit Julio pasi 65-vjeçari nuk kishte arritur të kthehej në shtëpi.

Kështu, të mërkurën e kaluar (30 dhjetor) amvisa e shqetësuar, nga El Carmen, Honduras, çoi dokumentet e tij të identitetit në spitalin lokal, ku stafi i tha asaj se ai kishte vdekur kohët e fundit nga coronavirusi.

Ajo thuhet se më pas njohu trupin e burrit në morgun e Spitalit të Occidente, para se të lëshohej për varrim.

Zonja Sarmiento punësoi një drejtor funerali për të transferuar trupin e burrit 30 milje nga spitali në fshatin e saj rural në komunën perëndimore të vendit në San Nicolas, Copan, ku të afërmit e dëshpëruar mbajtën një ceremoni para varrimit të tij.

Gruaja tha se pagoi 10,500 lempiras (rreth 350 euro) për shpenzimet e varrimit.

Një certifikatë vdekje për Julio pasi u besua se ai kishte vdekur nga Covid-19

Zonja Sarmiento ishte ende në zi kur, katër ditë më vonë, burri Julio mbërriti në shtëpi pasi u gjet i plagosur në një fushë në komunën fqinje të Trinidad.

Ai kishte dalë për një shëtitje, por u rrëzua dhe nuk mund të ngrihej më, duke qëndruar atje për disa ditë pa ushqim dhe pije.

Zonja Sarmiento i tha gazetës LaPrensa të Hondurasit: “Ky nuk ishte burri im që vdiq, sepse unë kam burrin tim këtu tani. Unë e njoha atë”.

“Do të doja që ata të më kthejnë ca nga ato që kam shpenzuar, sepse më dhanë trupin e dikujt që nuk e njihja. Autoritetet në morg duhet ta kishin ekzaminuar siç duhet për të parë nëse ishte vërtet ai”.

Hospital de Occident konfirmoi se burri i paidentifikuar që ajo varrosi kishte mbërritur në spital në një gjendje të rëndë me Covid-19 më 27 dhjetor. Ai vdiq disa orë më vonë.

Ndërkohë që drejtori i spitalit, Juan Carlos Cardona, këmbënguli se ishte gruaja ajo që gabimisht identifikoi burrin se ishte burri i saj. /Telegrafi/