Sot në Mitrovicë u zbulua shtatorja e dëshmorit Artim Jashari, me ç’rast u vlerësua lart vepra e tij për lirinë e Kosovës.
Zbulimi i shtatores që u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, u bë në 21 vjetorin e rënies së tij, ndërsa përveç familjarëve, morën pjesë përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë të Artim Jasharit, përfaqësues të organizatave të luftës, si dhe qytetarë të Mitrovicës dhe më gjerë.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se njerëzit të cilët i dolën zot atdheut bëjnë krenarë secilin shqiptar. Ai ka bërë thirrje të gjithë udhëheqësve institucionalë, pa dallim përkatësisë partiake, që për shkak të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit, të bashkohen më shumë se kurrë dhe të punojnë për të mirën e qytetarëve.
“Prandaj kam një thirrje për të gjithë ata që udhëheqin qeverinë e Republikës së Kosovës dhe institucionet, qoftë lokale apo qendrore. Të bashkohemi dhe të punojmë në të mirë të të gjithë qytetarëve, sepse ua kemi borxh këtyre djemve dhe bijave tona të cilët dhanë jetën për këtë vend.”, ka thënë Bahtiri.
Duke folur në emër të qeverisë së Kosovës, ministri i Financave, Bedri Hamza, sqaroi se asnjëherë dhe në asnjë rast nuk ka fjalë ekuivalente të cilat e përshkruajnë dhe shpjegojnë veprën e dëshmorëve dhe të heronjve.
“Ne si institucione cka do që bëjmë është pak në raport me veprën që kanë bërë dëshmorët, sepse këta kanë qenë shpresëdhënësit, kontribuuesit dhe këta janë ata që neve na sollën lirinë”, theksoi Hamza. Ndërkaq, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë të ditur se liria nuk do të ishte e garantuar pa luftë dhe pa trimërinë e dëshmorëve e heronjve.
“Liria nuk do të ishte garantuar pa luftë, pa sakrificën sublime të popullit tonë, pa UÇK-në dhe pa trimërinë e heronjve tonë. Artim Jashari ishte njëri ndër ta”, tha ai.
Në anën tjetër, në emër të familjarëve, vëllai i dëshmorit, Kastrioti, duke falënderuar pjesëmarrësit për prezencën e tyre, tha se frymëzimi i Artimit gjithmonë ka qenë në luftën dhe përpjekjet maksimale të Adem e Hamëz Jasharit, në idealin kombëtar dhe në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës.
“Prezenca juaj si përfaqësues institucionalë paraqet përkushtimin dhe nderimin për veprën e Artimit të vlerave të luftës, e që vlerat e luftës para së gjithash janë gur themel i shtetit të Kosovës. Frymëzimi i Artimit gjithmonë ka qenë në luftën dhe përpjekjet maksimale të Adem e Hamëz Jasharit, në idealin kombëtar dhe në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës”, u shpreh Jashari.
Ndryshe, pas krismave që u dëgjuan herët në mëngjesin e 6 majit të vitit 1998 pranë stacionit të autobusëve, ku mbetën të vrarë tre policë serbë, qyteti i Mitrovicës u zgjua me oshtimë nga automjetet e policisë, derisa pak kujt po i shkonte ndërmend se aksionin ndaj policisë serbe e kishte kryer një djalë i ri mitrovicas, që vinte nga Prekazi i Adem Jasharit.