Një ditë pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore doli me raportin e autopsisë për shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, në Mitrovicë një numër i organizatave joqeveritare dhe studentë të Universitetit “Isa Boletini” kërkuan ndriçimin e vrasjes së ish-aktivistit të Vetëvendosjes.
Ata u tubuan në Sheshin “Mehë Uka” të Mitrovicës, ndërsa mbajtën me vete pankartën me mbishkrimin “Drejtësi”.
Në protestë mori pjesë edhe deputetja e Vetëvendosjes Donika Kadaj-Bujupi.
Të mbledhurit brohoritën mes tjerash parullat “Liri për Qytetarët, Burg për Qeveritarët” dhe “Pa Drejtësi nuk ka Qetësi”.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Fahri Berisha ish i burgosur politik që foli në emër të shoqatës që në Mitrovicë mbledh këtë kategori, kërkoi hetim të pavarur për vdekjen e Astrit Deharit duke theksuar se “pa hetim të pavarur nuk ka drejtësi, e pa drejtësi nuk ka qetësi”.
Të tubuarve iu drejtuan edhe pëfaqësues të shoqërisë civile dhe studentëve të Universitetit “Isa Boletini”.
Pankarta me mbishkrimin “Drejtësi” mbajtën dje edhe nxënësit e shkollave të mesme të Prishtinës që u mblodhën për të kërkuar sqarimin e rrethanave të vdekjes së Deharit.
Për ndriçimin e vdekjes së Astrit Deharit shoqëria civile protestoi edhe para pesë ditësh në Prishtinë.
Një protestë për vdekjen e dyshimtë të Deharit është paralajmëruar për të enjten e ardhshme në kryeqytet.
Dehari vdiq më 5 nëntor derisa po mbahej i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit me raketahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Dje Instituti i Mjekësisë Ligjore dorëzoi në Prokurorinë e Prizrenit raportin e autopsisë së Astrit Deharit.
Prokuroria më pas në një konferencë për gazetarë bëri të ditur se në bazë të raportit Astrit Dehari u vetëvra.