Site icon Telegrafi

Në Mitrovicë, Inspektorati mbyll 10 lokale të lojërave të fatit për mungesë licence

Sot në mesditë Drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Departamentin e Lojërave të Fatit dhe Policinë ka bërë inspektime tek lokalet e lojërave të fatit dhe bastoreve ku pas verifikimit, janë mbyllur 10 lokale që kanë zhvilluar biznesin e lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin.

Ky aksion të cilit i printe drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti së bashku me Inspektorët e Komunës, të ATK-së dhe me asistim të Policisë së Mitrovicës, sot gjatë tërë ditës kanë inspektuar të gjitha lokalet zhvillojnë biznesin e lojërave të fatit dhe të bastoreve.

Aksioni është zhvilluar në tërë lokacionin e Mitrovicës, aty ku edhe mungonin licencat e punës por edhe zhvillohej në vendet ku ndalohet me Ligj, i cili përcakton ndalimin e ushtrimit të aktiviteteve të lojërave të fatit në afërsi të shkollave.

Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka thënë se mungesa e licencave dhe distanca me shkollën, ishte shkaku i ndalesës sepse nuk lejohet zhvillimi i kësaj veprimtarie pa licencë dhe kur nuk është në përputhje me distancën e duhur, largësinë me institucionet arsimore.

“Lojërat e fatit në përgjithësi duhet të operojnë në përputhje me ligjin, duhet të jenë të licencuara, duhet të kenë një largësi prej institucioneve arsimore, komunale, pra, prej atyre publike. Ne kemi kërkuar një rishqyrtim prej ATK-së, që bashkë me ta dhe me Policinë t’i shohim të gjitha lojërat e fatit se a po i përmbushin këto kritere. Kemi gjetur se ato nuk i përmbushin kriteret, dhe në një aksion të sotëm bashkë me ATK-në dhe Policinë kemi mbyllur 10 pika të lojërave të fatit. Ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, ka thënë ndër të tjerash drejtori Ahmeti, njofton Komuna e Mitrovicës.

Exit mobile version