Site icon Telegrafi

Në mesnatë nis zbatim i Marrëveshjes për sigurime Kosovë-Serbi

Kryesues i delegacionit teknik të Kosovës për bisedime për çështje të sigurimeve midis Kosovës e Serbisë, Rrahim Pacolli, përmes një njoftimi për medie rikujton se nga nesër nis zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-Serbi për njohjen reciproke të policave të sigurimit kufitar midis dy shteteve.

Memorandumi i Mirëkuptimit (MoU) për njohjen reciproke të policave të sigurimit kufitar ndërmjet dy shteteve, Kosovë-Serbi, do të fillojë të zbatohet nga data 12 Gusht me fillim në ora 00:00, thuhet në njoftim.

Qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë pasi që të pajisen nga kompanitë e sigurimeve me policën TPL +. Po ashtu, qytetarët e Serbisë mund të hyjnë në territorin e Kosovës me policën e sigurimit kufitar të cilën e posedojnë. Kjo u lehtëson bashkëkombësve tanë të Luginës së Preshevës ardhjen në Kosovë, sqarohet në njoftimin e Rrahim Pacollit, kryetar i Shoqatave të Sigurimeve dhe anëtar i Delegacionit të Kosovës në bisedat me Serbinë për Marrëveshjen për Lëvizje të Lirë.

Kjo marrëveshje ishte paralajmëruar se do të hynte në fuqi nga 24 korriku i vitit 2015, por pala serbe nuk e përfilli, me arsyetimin se nuk ishte gati ta zbatojë. Ndërkohë ajo akuzoi palën kosovare për përpjekje që të përfshijë në marrëveshje edhe heqjen e targave KS. /Telegrafi/

Exit mobile version