Në mes të sezonit të verës, ndalohet notimi në Liqenin e Ohrit. Turistët nuk mund të notojnë në plazhet që shtrihen nga Kalaja e Samoilit drejt kampeve “Partizan” dhe “Mladost” për shkak të ujërave të zeza nga sistemi i kolektorëve.
Kryetari i Komunës së Ohrit Konstantin Georgeski e konfirmoi këtë informacion për “Kanal5”, duke theksuar se komuna e paraqiti ndalimin me urdhër të Inspektoratit shtetëror sanitar dhe shëndetësor. Ai tha se problemi ka gjasa të jetë në rrjetin e papërshtatshëm të kanalizimit përgjatë lumit Grashnica, dhe jo mos funksionimin e kolektorëve.
Nga Qendra e Ohrit për Shëndetin Publik konfirmojnë se analizat e mostrave të ujit nga ai rajon treguan se uji është i ndotur. Plazhet e tjera janë të sigurta për larje./Telegrafi/