Telegrafi

Në mes të emisionit, politikani bashkë me truprojën e tij sulmojnë gazetarin – mediat turke tregojnë detajet dhe pamjet e incidentit

Deputeti i Partisë Demokratike, Cemal Enginyurt, mori pjesë në një emision të drejtpërdrejtë, dhe ai debatoi me gazetarin Latif Şimşek.

Por gjatë një pushimi të transmetimit thuhet se Emrah T., i cili pretendohet të jetë truproja i Enginyurt, sulmoi gazetarin Shimşek.

Sipas mediave turke, përcjell Telegrafi, debati eskaloi teksa po diskutohej çështja e Osman Kavala.

Ndryshe, pak kohë më parë një gjykatë turke ka dënuar aktivistin e të drejtave civile dhe filantropistin Osman Kavala me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht.

Gjykata në Stamboll e shpalli Kavala-n fajtor për përpjekje për të përmbysur qeverinë mes protestave masive në vitin 2013.

Siç bëjnë të ditur mediat turke, gazetari Latif Şimşek bëri një ankesë kundër deputetit të Partisë Demokratike Cemal Enginyurt dhe truprojës së tij të dyshuar, me arsyetimin se ai e kishte sulmuar në emisionin televiziv.

Pas ankesës, Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit nisi një hetim dhe Emrah T. u arrestua.

Një deklaratë me shkrim për shtyp mbi këtë temë erdhi nga Enginyurt.

“… Si nënkryetar dhe deputet i Partisë Demokratike, dua t’i kërkoj falje kombit turk, publikut dhe komunitetit të shtypit, të cilët po bëjnë punën e tyre siç duhet, për këto imazhe të padëshiruara”, citohet të ketë thënë ndër tjerash ai. /Telegrafi/