Telegrafi

“Në mes të ditës, në një zonë të monitoruar”: Rojet bregdetare greke duke ‘i shtyrë’ migrantët dhe duke i detyruar të zbresin pranë ujërave turke

Një video e re e shpërndarë nga një organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga Norvegjia tregon Rojet Bregdetare Greke duke “i shtyrë migrantët” në Detin Egje dhe duke i lënë ata të zbresin pranë ujërave turke.

Sipas grupit, Aegean Boat Report (ABR), një varkë me 47 afganë po lundronte jashtë ishullit Lesvos kur u ndalua nga roja bregdetare greke, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

ABR monitoron lëvizjet e njerëzve në detin Egje dhe ka nxjerrë dëshmi të mëparshme të trajtimit të tmerrshëm që i nënshtrohen emigrantëve në Greqi.

Pamjet e shpërndara nga grupi, me sa duket të shkrepura në telefon nga një prej emigrantëve, tregojnë disa burra të maskuar në bordin e anijes së Rojës Bregdetare Greke duke “shtyrë” varkën e gomës.

Grupi më pas raporton se të 47 emigrantët u morën në bordin e anijes së Rojës Bregdetare Greke dhe u transportuan përsëri pranë ujërave turke, ku ata “u lanë të pafuqishëm, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut”.

Organizata jofitimprurëse shkroi se “kjo u bë në mes të ditës, në një zonë të ruajtur dhe monitoruar shumë nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare Frontex, çuditërisht, ata nuk panë asgjë”.

Siç thuhet më tej, 47 emigrantët u shpëtuan më pas nga roja bregdetare turke.

Pamjet e fundit të shpërndara nga ABR janë vetëm akuzat më të fundit ndaj rojës bregdetare greke, e cila në shkurt u fajësua për mbytjen e të paktën dy emigrantëve. /Telegrafi/