Telegrafi

Në mes të ditës dhe në qendër të qytetit të New Yorkut, hajnat e maskuar futen në argjendari dhe vjedhin stoli në vlerë prej dy milionë dollarë

Një vjedhje në qendër të qytetit dhe në mes të ditës është regjistruar nga kamerat e sigurisë në Brooklyn të New Yorkut, kur një grup i hajnave të maskuar u futën në argjendari dhe pasi thyen vitrinat e xhamit vodhën stoli në vlerë prej 2 milionë dollarë.

Në videon e publikuar më poshtë, shihen dy persona të maskuar që thyejnë me çekiç vitrinën e argjendarisë dhe fillojnë të mbushin çantat me stoli, transmeton Telegrafi.

Derisa dy prej tyre mbushnin çantat një tjetër qëndronte jashtë, për të parë nëse do të shfaqet ndonjë patrullë e policisë.

Gjithçka ndodhi para syve të klientëve dhe shumë kalimtarëve të rastit, ndërsa hajnat silleshin krejtësisht të qetë dhe u dukej sikur nuk kanë bërë asgjë të keqe.

Nga stolitë e vjedhura kishte unaza me gurë diamanti, qafore e stoli tjera që kapnin vlerën e dy milionë dollarëve.

Sipas pronares së argjendarisë Irina Sulay, gjithçka ndodhi kur dy persona u shfaqën para lokalit dhe ajo ua hapi derën duke menduar se janë klientë.

Por më pas u futën dy tjerë me maska që filluan ta kërcënojnë me vrasje dhe mbushën çantat me stoli.

Deri më tani policia nuk ka arritur të arrestojë ndonjë person të dyshuar për këtë vjedhje, ndërsa pamjet janë publikuar me kërkesë të policisë, me shpresën se dikush do t’i njeh dhe identifikojë hajnat. /Telegrafi/