Njësia për Inspektim Gjyqësor ka realizuar tetë inspektime gjatë vitit të kaluar. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ushtruesi i detyrës së kësaj njësie, ka bërë të ditur se kanë bërë inspektimin e 16 lëndëve. Në këtë mbledhje, po ashtu është diskutuar edhe çështja e shfrytëzimit të pushimit mjekësor si pushim vjetor nga ana e punonjësve në gjykata.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Njësisë për Inspektim Gjyqësor, Dul Gjoci ka prezantuar punën e vitit të kaluar, duke theksuar se nuk ka numër të mjaftueshëm të zyrtarëve brenda kësaj zyre.
“Për vitin që e lamë pas njësia ka arritur edhe për shkak të numrit jo të mjaftueshëm të zyrtarëve brenda kësaj zyre, si shkak i pensionimit të disa zyrtarëve gjatë vitit që e lamë pas, ka arritur jo vetëm që ta përmbush planin por ta tejkalojë të njëjtin. Ka arritur me i kry tetë inspektime me tema të ndryshme, me tema të cilat i keni edhe para jush. Unë do i përmendi kalimthi disa prej tyre të cilat besoj se kanë pasur efekt sidomos gjatë trajtimit të tyre dhe pas rezultateve të cilat kanë dalë. Tema e parë ndërlidhet me inspektimin që ka të bëjë me identifikimin e arsyeve për hedhjen e kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë, lëndë të caktimit apo të vazhdimit të paraburgimit. Njësia ka bërë inspektimin e 16 lëndëve”, deklaroi ai.
Gjyqtari Artan Abazi ka pyetur rreth shfrytëzimit të pushimeve mjekësore nga ana e administratës gjyqësore.
“Nga praktika shumica e punëtorëve, pushimin mjekësor e llogarisin si pushim të pashfrytëzuar që ju ka mbetur nga pushimi vjetor. Në këtë kuptim, a keni mundur të konstatoni që me të vërtetë ne e dimë që sëmundja nuk është e paraparë të ndodhë, por a keni mundur gjatë inspektimit që këto pushime me të vërtetë merren atëherë kur punëtori ka nevojë apo vazhdon kjo mendësia që pushimi mjekësor konsiderohet si pushim i mbetur i pashfrytëzuar i vjetër. Kjo është një çështje që do të ndikojë në efikasitetin e sistemit gjyqësor që punëtorët mos të mungojnë atëherë kur nuk kanë arsye në vendin e punës”, tha ai, raporton kp.
Lidhur me këtë çështje, Gjoci tha se është problematikë shqetësuese e cila është paraqitur nga asambleja e kryetarëve.
“Si kërkesë ka ardhur nga menaxhmenti i gjykatave, nga ana e kryetarëve edhe administratorëve. Është një problematikë shqetësuese që ata në takimet të cilat i kemi pasur në asamblenë e kryetarëve e kanë shprehur si brengë. Njësia ka vepruar në bazë të kërkesës, ku të gjitha të gjeturat në raport me pushimet mjekësore i ka vendosur në raport edhe me arsyeshmërinë e tyre. Ka pasur nuanca ku është kuptuar në mënyrën edhe qysh e elaboruat ju që dikush e kupton që i ka 20 ditë të cilat ia mundëson ligji edhe detyrimisht i shfrytëzon ato. Ka pasur shfrytëzime edhe nga ana e vet administratorëve të gjykatave, të cilët askush më mirë se ata nuk i njohin punëtorët e vet në aspektin shëndetësor. Të gjitha të gjeturat në raport me afatet kohore kur është shfrytëzuar kjo, njësia i ka detektuar dhe i ka dërguar pranë autoriteteve kompetente”, u shpreh ai.
Në mbledhjen e sotme të KGjK-së është caktuar Shkelzen Syla, si ushtrues detyre i gjyqtarit mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Po ashtu, gjyqtarja Lirije Maksutaj është emëruar si gjyqtare e shkallës së parë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.