Site icon Telegrafi

Në Maqedoni më shumë raste të vdekjes gjatë punës paraqiten në bujqësi

Me rastin e 28 prillit – Ditës botërore për siguri dhe shëndet gjatë punës, Shoqata për Mbrojtje gjatë punës organizoi tryezë të rrumbullakët me temë “Fatkeqësi, lëndime dhe raste të vdekjes gjatë punës në Republikën e Maqedonisë”, ku dhe u prezantua raporti vjetor i fatkeqësive gjatë vitit 2015, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Shoqatës për Mbrojtje gjatë punës, Milan Petkovski duke u bazuar në raportin vjetor, bëri të ditur se gjatë vitit 2015 në Republikën e Maqedonisë gjatë orarit të punës kanë ndodhur 39 raste të vdekjes, si dhe 105 aksidente me lëndime të rënda. Ai shtoi se në krahasim me vitin 2014, numri i rasteve të fatkeqësive gjatë orarit të punës është zvogëluar.

“Duke marrë parasysh vdekjet gjatë orarit të punës, sikurse viteve tjera edhe këtë vit numri më i madh i vdekjeve paraqitet tek fermerët. Edhe pse mendohet se ndërtimtaria është një nga profesionet më kërcënuese për jetën, megjithatë në vendin tonë bujqësia është profesioni ku ndodhin më shumë raste të fatkeqësive”, tha Petkovski.

Në tryezën e rrumbullakët, të pranishëm ishin pëfaqësues nga të gjitha institucionet relevante në Maqedoni, të cilët deklaruan se sot sindikatat relevante të botës janë duke u përballur me sfida të forta të imponuara nga politikat neoliberale të krizave të ndryshme ekonomike. Ndërsa në Maqedoni këto sindikata përballen edhe me një sfidë shtesë, e cila është kriza serioze politike./Telegrafi/

Exit mobile version