Site icon Telegrafi

Në Maqedoni mungon kuadri shqiptarë i logopedisë

Në Maqedoni vërehet mungesë e madhe e logopedëve shqiptarë. Zyrtarisht në Shkup punojnë vetëm dy logopedë shqiptar, një logoped punon në Entin për Rehabilitimin e fëmijëve, në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe një logopede në Entin për Rehabilitimin e Dëgjimit, të Folurit dhe Zërit, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkaq në nivel republikan numri është tmerrësisht i vogël, përcjell Telegrafi Maqedoni.

I kontaktuar disa herë, sekretari shtetëror Nasuf Ipçja nuk përgjigjet lidhur me këtë çështje. Kohë më parë ai fillimisht kishte deklaruar se kjo mund të jetë edhe rezultat i mungesës së kuadrit të diplomuar shqiptarë që më pas të thotë se kuadër mund të ketë, por se i njëjti nuk është paraqitur në konkurset e shpallura. Sipas Portalb, të kundërtën e theksojnë logopedët shqiptarë. Ata thonë se konkurse mund të jenë hapur, por jo në institutin e rehabilitimit apo në institucione tjera të kësaj natyre.

Çështja e punësimit të logopedëve shqiptarë erdhi pas ankesave nga prindërit e fëmijëve me probleme në të folur, të cilët tani më një kohë të gjatë po kërkojnë një të tille shqiptarë për trajtim të fëmijëve të tyre.

Statistika flasin se mbi 10 për qind e popullsisë vuan nga probleme në të folurit. Çrregullimet më të shpeshta janë mos shqiptimi i shkronjave, të folurit ndër hundë, belbëzimi, të folurit me ndërprerje dhe të folurit e shpejtuar./Telegrafi/

Exit mobile version