Telegrafi

Në Maqedoni ka mungesë të kuadrove në profesione të caktuara

Në Maqedoni ndjehet mungesë e theksuar e kuadrove të kualifikuara në shumë profile edhe kundrejt shkallës së lartë të papunësisë, theksojnë nga Lidhja e Odave Ekonomike.

Mungesa e kuadrove të profesionalizuara (fuqisë punëtore të profesionalizuar) është më e theksuar në sektorin e turizmit, industrinë e metalit, atë të elektronikës, makinerisë, por evidente është mungesa e kuadrit të specializuar edhe në ndërtimtari.

Mbishkrime se kërkohet punë si furrtarë, kamerierë, shihen në shumë lokale të Shkupit.

Ndërkohë që, sipas të dhënave zyrtare rreth 50 për qind e të rinjve në Maqedoni janë të papunë.

Por, sektori i Hotelerisë, në një anketë të realizuar nga Oda ekonomike, ka fokusuar si problem mungesën e kuadrit të specializuar në këtë sektor.

Afaristët thonë se “shumë vende pune mbeten pa plotësuar sepse për të njëjtat kërkohen shkathtësi të caktuara për ushtrimin e veprimtarive të caktuara, përderisa të rinjtë nuk janë mjaftueshëm të kualifikuar pasi përfundojnë shkollimin.

Goran Damçeski, nënkryetar nga Shoqata e Hotelierëve dhe Turizmit në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë, thotë se mungesa e fuqisë punëtorë profesionale në këtë sektor është evidente shtatë vjetët të fundit.

“Shteti, përkatësisht ministria e arsimit nuk ka një strategji të qartë funksionale për ta bërë turizmin, hotelerinë dhe shërbimet në industrinë e ushqimit të jenë atraktive për të rinjtë, kjo e ka bllokuar në masë të madhe punën në këtë sektor”, thotë Goran Damçeski.

Nga ana tjetër, Naser Miftari profesor në shkollën e mesme të Shkupit Zef Lush Marku, i cili drejton projektin shkollat e shekullit 21 në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Byronë për Zhvillim, thotë se ka më shumë faktorë që të rinjtë orientohen në gjimnazet e përgjithshme sesa në shkollat profesionale.

“Faktorët janë të shumtë nga natyra të ndryshme. Një nga ato është mungesa e kulturës për tu orientuar në profile të ndryshme në shkolla profesionale, pastaj është frika se nuk do të mund të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për ekzistencë dhe e treta, synohet të mësohet në shkollën më të afërt pavarësisht drejtimit që ofrohet”, thotë Naser Miftari.

Ai shton se të rinjtë shqiptarë madje jo mjaftueshëm janë të informuar për drejtimet profesionale ngase mësimi në gjuhën shqipe në këto shkolla është inkorporuar viteve të fundit andaj thekson se edhe mediat duhet të kenë rol senzibilizues në këtë drejtim.

“Pasi mungonin drejtimet profesionale me mësim në gjuhën shqipe të cilat janë hapur së fundmi, jo mjaftueshëm janë të informuar të rinjtë për mundësitë që ofrohen pasi të kryejnë të njëjtat”, thotë Miftari.

Ndërkohë, Aleksandar Milloshevski nënkryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë vlerëson se praktikës “se fakulteti hap dyert në administratë për një rrogë të sigurt pavarësisht se çka keni studiuar i vjen fundi”, andaj shton ai, të rinjtë duhet të fokusohen në drejtimet deficitare e para sepse më lehtë do ta kenë të gjinden në tregun e punës dhe e dyta, sipas tij, sa më herët të fillojë profesionalizimi në një drejtim të caktuar aq më të suksesshëm do të jenë në profesionin që do të zgjedhin.

“Nevojitet një bashkëpunim i ngushtë mes sistemit arsimor dhe sektorit të biznesit duke i inkorporuar këtu nxënësit dhe prindërit për të arritur një balanc mes kërkesës së tregut të punës dhe kuadrit që do të del nga institucionet arsimore,” thotë Milloshevski.

Ndërkaq, nga dikasteri i arsimit në Maqedoni kanë theksuar se po punohet në drejtim të reformimit të arsimit profesional duke bërë të ditur se tanimë nga ky vit arsimor është inkorporuar dhe arsimimi “dual” në shkollat e mesme që nënkupton përfshirjen e punës praktike që nga bankat e shkollës./REL/