Telegrafi

Në Maqedoni ka 7 zjarre aktive

Situata me zjarret ka filluar të përmirësohet. Sot ajo është më e mirë krahasuar me një ditë më parë. Kështu njoftoi numri një i Qendrës për Menaxhim me krizat, Stojançe Angellov. Ai tha se gjatë ditës do të bëhen përpjekje që të mbahen nën kontroll zjarret që janë aktive, ndërsa gjendja më kritike paraqitet në malin Serta.

“Në këtë moment zjarri që na jep më së shumti kokëdhimbje është zjarri në malin Serta, që po zvarritet tashmë dhjetë ditë. Ka zjarre në vende të ndryshme. Në mëngjes zjarri është përsëri aktiv pjesa e pasme, respektivisht pjesa e sipërme e poligonit ushtarak ‘Krivollak’ në drejtim të Penushit dhe lumit të Bregallnicës. Herët në mëngjes një grup vullnetarësh gjuetarësh, arritën ta mbizotërojnë krahun e zjarrit që mbrëmë kaloi përmes rrugës tokësore, por ekziston një pikë e nxehtë, për të cilën ekziston rrezik që përsëri të zgjerohet. Në atë vend janë dërguar një numër shtesë I njerëzve”, deklaroi Stojançe Angellov, Drejtor i Qendrës për Menaxhim me Krizat.

Në ndihmë të autoriteteve vendore, është kyçur edhe një helikopter nga Mali i Zi.

“Përskaj helikopterit malazez, i kemi resurset vendore, që nuk janë për t’i nënvlerësuar. Në dispozicion kemi 3 airtraktorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, 2 helikopterë të ushtrisë dhe 2 helikopterë të policisë. Problem është se kur është janë orët më të nxehta të ditës, kur temperaturat janë rreth 40 gradë, ka kufizim të fluturimit të të gjitha fluturakeve, por bëjmë lista prioritare”, tha Stojançe Angellov, Drejtor i Qendrës për Menaxhim me Krizat.

Zjarre aktive ka në Makedonski Brod, dy në territorin e Çashkës dhe 2 në territorin e Dollnenit. Nga Qendra për Menaxhim me krizat shpresojnë që shiu që është paralajmëruar për dy ditët e ardhshme do të ndikojë në përmirësimin e situatës. /Alsat/