Telegrafi

Në Malishevë vetëm një rast aktiv me COVID-19

Në komunën e Malishevës tashmë vetëm një rast është aktiv me COVID-19, ndërsa edhe ky person pritet që të shërohet brenda kësaj jave.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga kjo komunë, ku thuhet se të gjitha mostrat e ditëve të fundit të testuara në këtë komunë kanë rezultuar negative.

“Të gjitha mostrat e ditëve të fundit, kanë rezultuar negative. Kjo qetësi në raport me pandeminë, është falë kujdesit që janë duke treguar qytetarët, si dhe angazhimit maksimal të të gjitha institucioneve komunale”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, hapja e shkollave dhe çerdhes publike, fillimi i ushtrimeve të klube apo shkollave tjera sportive, rritë rrezikun e përhapjes së virusit, prandaj, komuna u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, e sidomos nxënësve të klasave të nënta dhe maturantëve (të cilët pritet të kthehen në shkolla javën e ardhshme), të bëjnë kujdes maksimal dhe në përpikëri ti zbatojnë të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Mbajeni distancën sociale, apo nëse nuk mundësi ta bëni këtë, përdorni maska, përdorni dezinfektues dhe mbajeni higjienën në nivelin më të lartë të mundshëm, duke i pastruar duart në çdo mundësi që keni gjatë ditës, si dhe në maksimum ti shmangni grumbullimet e njerëzve, pasi kjo vazhdon të mbetet arma e vetme e luftimit të virusit korona”, ka thënë sot, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, në emër të shtabit komunal emergjent, që merret me menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Gjendja me COVID-19 në Komunën e Malishevës, vazhdon të mbetet kjo: 77 të prekur, prej tyre 75 të shëruar, një rast aktiv dhe një rast ka rezultuar me fatalitet. /Telegrafi/