Site icon Telegrafi

Në luftë me koronavirusin: Nuk di kush ma ngjiti, por kështu e përballova

Tetori që sapo u largua ishte i vështirë për mua. Miqtë e mi, unë e mbaja veten si njeri të rregullt dhe zbatoja me përpikëri masat kundër infektimit me koronavirusin e tmerrshëm. Unë nuk e hiqja maskën as në rrugë, madje edhe kur bëja ecje përgjatë shëtitores nga Skela në Ujin e Ftohtë. Unë shishen me alkool e mbaja gjithmonë me vete dhe askush nuk hipte në makinën time pa dezinfektuar duart me alkool.

Pikërisht, me gjithë këto masa unë u infektova me Covid-19 në fillim të tetorit. Nuk e di se si u infektova dhe kush ma ngjiti, pasi askush nuk e ka të shkruar në ballë që e ka apo jo virusin. Kam kaluar në mendje të gjitha lëvizjet që kam bërë e të gjithë njerëzit me të cilët jam takuar, por nuk e di si u infektova dhe nga kush. Ndoshta humbja për një çast e vigjilencës më bëri që të infektohem.

Po u tregoj rrugëtimin e gjendjes time në momentin që u dhanë shenjat e para: Dita e parë, data 6 tetor nisi me shpim të grykës dhe dhimbje koke në majë të kokës dhe nga pas dhe gjatë natës m’u ça balli nga dhimbjet.

Temperatura shkoi në 38.5. Fillova me paracetamol për të mbajtur nën kontroll temperaturën. E quajta një ftohje, për shkak se rrija në shtëpi me kanotiere, por edhe sepse kishte nisur gripi sezonal dhe ndoshta ishte ky i fundit që më kishte kapur. Më nisi kolla. Gjatë natës përdora tre herë paracetamol në çdo 5-6 orë.

Dita e dytë kisha dhimbje trupi dhe kollë. Temperatura në mëngjes ishte 36.5. Nuk mund të haja dot si më parë, nuk më linte kolla, por e bëra këtë me pahir. Temperatura nisi të rritej pas orës 14 pasdite në 37.3 dhe 37.5 dhe 37.8. Fillova me paracetamol në çdo 5-6 orë.

Ditën e tretë e kuptova që nuk ishte një grip sezonal, por se duhet të isha infektuar me Covid-19. Fillova të ushqehesha me lëng mishi, supëra dhe ushqime me kalori, por edhe disa çajëra gjatë ditës.

Ditën e gjashtë i shkruajta Dr. Tritan Kalos në Facebook dhe i paraqita situatën. Kolla po më mbyste, gjoksi më dhimbte, por frymëmarrjen e kisha nënë kontroll. Doktori më sugjeroi që menjëherë duhet të nisja mjekimin për t’i paraprirë acarimit të gjendjes.

Ai më rekomandoi antibiotik të fortë, Klarithromicinë 500 miligramësh në çdo 12 orë, shoqëruar me Vitaminë C +, Magnez+ D direkt. Kjo vitaminë është në formë sheqeri dhe pihet pa ujë duke u tretur në gojë, forcon imunitetin. Gjithashtu, Dr. Kalo më rekomandoi aspirinën protekt një herë në ditë në drekë, si dhe një shurup kundra kollës.

Ditën e shtatë i telefonova 127-tës dhe i paraqita gjendjen në të cilën ndodhesha. Më sugjeruan që të bëja tamponin në DSHSH-në e Vlorës. Të nesërmen më telefonuan nga DSHSH-ja dhe më kërkuan që të paraqitesha për të bërë tamponin. Shkova dhe bëra tamponin dhe pas dy ditësh mora përgjigjen. Isha pozitiv me Covid-19. Më lidhën me mjeken e lagjes për të mbajtur nën kontroll ecurinë.

Ndoshta isha vonuar një javë duke shpresuar se kjo gjendje do të kalonte, por isha gabuar. Mbaja kontakte të përditshme me Dr. Tritan Kalon, duke i treguar situatën dhe duke marrë këshilla dhe sugjerime nga ai. E pyeta Dr. Tritanin për gripin e stinës. Ai më tha se gripi sezonal të mban një javë, ndërkohë që unë e kisha kaluar javën.

I thashë doktorit se kisha vërejtur shenja gjaku nga hundët dhe ai më kërkoi që të ndërprisja aspirinën. Doktori më tha se Covid-19 e ka 12-14 ditë kohën e inkubacionit. Vazhdoja të isha me temperaturë rreth 37.5 dhe përdorja paracetamol për ta ulur. Doktori më rekomandoi që të blija një oksimetër dhe të kontrolloja nivelin e oksigjenit në gjak dhe pulsin. E bleva në farmaci dhe tre herë në ditë kontrolloja oksigjenin dhe pulsin. Oksigjenin e kisha brenda normave, kurse pulsi luhatej.

Tensionin e kisha 11 ose 12 me 7. Në javën e dytë nisa të ndjeja rëndim në stomak për shkak të antibiotikut (unë jam delikat nga stomaku dhe përdorja një ilaç për ta mbrojtur atë, por duket ai nuk bënte shumë punë) dhe kjo më bënte që të kisha probleme kur merrja frymë, më mbyste kolla, megjithëse mundohesha ta frenoja.

I shkrova Dr. Tritan Kalos dhe i tregova për gjendjen. Ai më rekomandoi që të merrja Nexium 20 miligramësh, një kokërr esëll dhe një në mbrëmje para se të flija. Menjëherë u normalizua situata.

Mbërrita në ditën 14 të infeksionit dhe m’u ndërpre menjëherë temperatura. Kaloi mbrëmja, kaloi nata dhe nuk pata më temperaturë. Kjo më gëzoi sepse po kuptoja që po kapërceja zonën e rrezikut. Kolla vazhdonte të ishte prezent, por çdo ditë duke u rralluar. Dr. Tritan Kalo më këshillonte të kisha durim, sepse kjo situatë vazhdon me ditë dhe javë deri në stabilizim të plotë. Kaloi një javë pas ditës së 14 dhe temperatura nuk u shfaq më, ndërsa kolla erdhi duke u shuar.

Pak dhimbje të lehtë kokë dhe pak dhimbje barku duken hera herës. Antibiotiku më kishte dëmtuar florën e barkut dhe pas 10 ditësj mjekim me antibiotik doktori më rekomandoi ta ndërprisja marrjen e antibiotikut dhe të merrja Yovita si dhe kos – disa shishe të vogla me një solucion për normalizimin e florës së zorrëve.

Ajo që dua t’u them të gjithëve është kjo:

1. Mos neglizhoni asnjë shenjë. Siç janë te njëri person, nuk janë te tjetri.

2. Merreni seriozisht sapo t’u shfaqet temperatura.

3. Kërkoni nga 127-shi të bëni tamponin.

4. Lidhuni me mjekët e infeksionit dhe me mjekun e familjes për të mbajtur gjendjen në kontroll.

5. Është më mirë të trajtohesh në shtëpi sesa në spital kur situata është nën kontroll.

6. Ushqehuni mirë dhe ajrosni shtëpinë.

7. Një pjesë e kalojnë lehtë dhe brenda disa ditëve normalizohen. Ka të bëjë shumë imuniteti i gjithsecilit, por edhe vaksinat që kemi bërë gjatë jetës.

8. Kush ka sëmundje bashkëshoqëruese si diabet apo hipertension, nuk duhet të neglizhojë asnjë shenjë.

Me këtë rast dua të falënderoi publikisht Dr. Tritan Kalon, i cili u tregua i papërtuar, i kudogjendur, i disponueshëm në çdo kohë me këshillat dhe sugjerimet apo rekomandimet e tij mjaftë të vlefshme. Faleminderit Dr. Tritan Kalo, pa ndihmën dhe kujdesin tuaj bota do të ishte një mynxyrë e vërtetë. Respekte pa fund për gjithçka që ju dhe kolegët tuaj bëjnë në shërbim të ruajtjes së jetës.

Faleminderit edhe të gjithë miqve dhe shokëve që këto ditë janë interesuar për shëndetin tim. Ruajeni veten, mbani maskën, ruani distancën, kujdes me duart dhe mos neglizhoni asnjë shenjë. Deri sa të dali vaksina antikovid, bota do të jetë e mbërthyer nga frika dhe pasiguria për jetën. Duajeni dhe mbrojeni jetën!

(Autori është gazetar, shkrimtar dhe studiues)

Exit mobile version