Site icon Telegrafi

Në LDK nuk flasin nëse janë të gatshëm për koalicione me PDK-në në balotazhin për kryetar të komunave

Foto: Arkiv

Partitë politike do të zhvillojnë garë të “nxehtë” në balotazhin e 14 nëntorit, ditën kur qytetarët do të vendosin se kush të udhëheqë komunën për katër vitet e ardhshme. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, balotazh do të ketë në 21 komuna.

Përkundër caktimit të datës së mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve, subjektet politike ende nuk kanë zyrtarizuar ndonjë koalicion, ndonëse disa prej tyre janë shprehur të gatshme për bashkëpunim.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili që në raundin e parë arriti të fitojë vota të mjaftueshme për kryetar, ka deklaruar se është i gatshëm të bëjë koalicion qeverisës me LDK-në në Mitrovicë, në qoftë se LDK mbështet kandidatin e PDK-së në balotazhin për kryetar të Prizrenit.

“Unë jam i gatshëm që edhe në Mitrovicë të bëj koalicion me LDK-në nëse edhe këta janë të gatshëm me përkrah PDK-në në njërën prej komunave ku është në garë që të bashkëqeverisim”, ka thënë Hamza në t7.

Në Prizren, PDK në garë për kryetar ka kandidatin Shyqyri Totaj përballë kandidatit të LVV-së, Mytaher Haskuka. Ndërkaq, kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, në zgjedhjet e 17 tetorit është radhitur në vendin e tretë.

Pas deklaratës së bërë nga Bedri Hamza i PDK-së, Telegrafi ka provuar të marrë një përgjigje nga zyrtarët e Lidhjes Demokratiket të Kosovës, nëse janë të gatshëm të bashkëpunojnë më PDK-në në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, por nga kjo parti nuk ka marr ndonjë përgjigje.

Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, PDK ka fituar katër komuna pa balotazh, Aleanca për AAK dhe LDK nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore pa balotazh.

PDK ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj;

LDK ka fituar në Pejë dhe Lipjan;

AAK ka fituar në Deçan dhe Suharekë;

Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

LVV dhe LDK në balotazh do të përballen në pesë komuna: Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Viti dhe Fushë Kosovë.

LVV dhe PDK në balotazh do të përballen në tri komuna: Prizren, Shtime dhe Kaçanik.

PDK dhe LDK në balotazh përballen në dy komuna: Vushtrri, Dragash.

LVV dhe AAK në Balotazh përballen në dy komuna: Gjakovë dhe Rahovec.

LDK dhe AAK përballen në balotazh në dy komuna: Istog dhe Junik.

PDK dhe AAK përballen në balotazh në Klinë.

Po ashtu në raundin e dytë do të ketë edhe disa përballje tjera:

Kamenica (Partia Socialdemokrate -LVV), Malisheva (Nisma-PDK), Mamusha (Partia Demokratike Turqve të Kosovës –KDTP dhe partia e Drejtësisë e Turqve të Kosovës – KATP), Gllogoci (PDK dhe Demokratët për Drenasin – DD), Kllokoti (Lista Serbe- Iniciativa qytetare Harmonia Popullore Serbe – GI SNS), Obiliqi (Iniciativa Qytetare për Obiliqin – IQO dhe LVV).

Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, subjektet politike kanë pesë ditë për të bërë fushatë zgjedhore. /Telegrafi/

Exit mobile version