Telegrafi

Në Lagjen e Trimave shtëpitë ende të rrënuara

Qeveria e Maqedonisë ka bërë vlerësimin e dëmit dhe ka premtuar kompensim të plotë, por banorët ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin për shtëpitë e tyre të dëmtuara. 

Gjendja në Kumanovë është ende larg normalitetit. Dhjetëra shtëpi janë të pabanueshme; mbi 500 vetë presin ndihmën që u ka premtuar qeveria.

Nga ana e tyre, autoritetet thonë se po përfundojnë procesin e vlerësimit, por pa dhënë hollësi mbi afatet kohore për kompensimet. Një sfidë tjetër është ruajtja e balancës dhe tolerancës ndëretnike në zonë.

“Që prej së premtes dhe sot ka pasur zëra se, kanë informuar banorët edhe për shifrat e kompensimit, por zyrtarisht ende nuk dihet asgjë. Pritet, që javën e ardhshme të mbërrijnë konfirmimet zyrtare dhe të shohim, nëse banorët e lagjes do të jenë të kënaqur, apo jo, nga vlerësimi”, ka thënë Shaban Demiri, koordinatori i Shtabit të Emergjencave për lagjen e “Trimave”.

Banorët kërkojnë që të dëmshpërblehen në mënyrë reale. Ata bëjnë thirrje të përshpejtohen procedurat për kompensimin e dëmit, për të filluar sa më parë me ndërtimin e shtëpive të shkatërruara.

“Pasi të arrijnë paratë, unë do të filloj ta rrënoj shtëpinë dhe të nis punën për ndërtimin e shtëpisë së re. Shpresoj që komuna dhe qeveria do të na i lehtësojnë procedurat rreth dokumentacionit, me qëllim që të fillojmë sa më shpejtë me punën”, është shprehur Agron Ajdini, banor i lagjes së “Trimave”. 

Me banorët e kësaj lagjeje po solidarizohen shqiptarët e të gjitha trevave. Atyre po iu dalin në ndihmë edhe shoqatat e ndryshme humanitare nga diaspora.

“Jemi një organizatë humanitare nga Brukseli. Kemi ardhur këtu të shohim këtë vend dhe të ndihmojmë banorët e kësaj lagjeje. Kemi mbledhur mjete në Bruksel, nga bashkatdhetarët tanë atje, dhe dëshirojmë t’i shpërndajmë këtu”, ka deklaruar Bylent Ramadani, nga organizata humanitare “Shpresa e re”. 

Ndërkohë, banorët që kanë mbetur pa çati mbi kohë për rreth një muaj, kanë gjetur strehim nëpër banesat e familjarëve të tyre dhe nuk e dinë, se kur do të mund të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. (TCH/INA)