Site icon Telegrafi

Në Kumanovë kërkohet hapja e një paralele në gjuhën shqipe në shkollën e muzikës (Video)

Tv Shenja bën të ditur se artistët kumanovarë protestuan para komunës së Kumanovës, në shenjë revolte për mos hapjen e paraleles në gjuhë shqipe në shkollën fillore të muzikës në këtë qytet, “Pançe Peshev”. Ata kërkojnë që në këtë shkollë, fëmijët shqiptarë të mësojnë muzikën në gjuhën shqipe. Protesta e tyre vjen pas shumë premtimeve pa rezultat, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“E kam një apel deri tek të gjithë ata që na përfaqësojnë. Neve nuk do të ndalemi me këtë protestë, nëse për 15 ditë nuk marrim përgjigje për shtatorin e ardhshëm. Nëse nuk kemi përgjigje atëherë do të fillojmë me protesta, jo te rrebeluara por do të gjejmë formën kulturore duke shprehur rrebelimin tonë”, tha organizatori Rami Mustafa.

Artistët që mbështetën protestën, pohuan nevojën e një paralele shqipe në këtë shkollë, duke shtuar se Kumanova posedon kuadro arsimorë mjaftë kualitativ..

“Kemi fëmijë të shëndoshë, fëmijë të këndshëm të cilët sot e kësaj dite marrin pjesë dhe janë nxënës të shkollës ‘Pançe Peshev’”, tha profesori i muzikës, Ardian Jashari.

“Ka një kohë të gjatë që është marrë iniciativa për të hapur një paralele në gjuhën shqipe, por ja që ende nuk është hapur”, tha drejtori i teatrit të Kumanovës, Enver Halimi.

Kryetari Komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski, premtoi që së shpejti do të ketë përgjigje për kërkesën e artistëve.

“Mendoj që nga viti i ardhshëm mësimorë, do të kemi qëndrim të qartë dhe do të kemi një përgjigje përfundimtare për këtë çështje”, tha kryetari Zoran Damjanovski.

Drejtoresha e kësaj shkolle, ka shkelur ligjin duke mos ndryshuar statutin e shkollës, pavarësisht vendimit të Këshillit Komunal. Mediat që mbuluam ngjarjen vizituam edhe drejtoreshën, e cila tha se kishte takim pune, por në fakt kamerat filmuan një festë me pije dhe tortë.

“Vetëm një gjë dua të them. Ju lus që për të gjitha informacionet e detajuara, të drejtoheni tek Sektori për arsim pranë Komunës Kumanovës dhe do të merrni përgjigje”, tha drejtoresha./Telegrafi/

Exit mobile version