Në kulmin e sezonit turistik, Struga e pushtuar nga lypësit. Nëpër rrugët e Strugës, urrë, sheshin e qytetit, në mol, nëpër plazhe vërehet numër i madh i personave, kryesisht të kombësisë rome të cilët nga struganët dhe turistët lypin para.
Sipas zëdhënësit të SPB Ohër, Stefan Dimoski, policia është vazhdimisht në terren dhe në bashkëpunim me Qendrën për punë sociale i dërgojnë lypësit në stacion policor për procesin e identifikimit.
“Bëhet fjalë për persona nga Manastiri, Prilepi, Shtipi…, që vijnë me qëllim të lypjes. Pas identifikimit në bashkëpunim me stacionet policore të qyteteve tjera, i kthejmë në qytetet nga të cilat vijnë. Këta persona kthehen shumë shpejt, mund të them se kthehen më shpejt nga koha që ne harxhojmë për t’i kthyer në vendbanimet e tyre”, tha Dimoski.
Aktualisht nëpër rrugët e Strugës mund të vërehen mbi 20 persona të shpërndarë nëpër pika të ndryshme me qarkullim më të madh të vendasve dhe turistëve.
Dimoski shtoi se problemi me lypësit shtohet gjatë periudhës së verës, në veçanti gjatë sezonit turistik dhe negativisht ndikon në imazhin e përgjithshëm të qendrave turistike në vend./Telegrafi/