Në Kroaci vazhdon ende numërimi i votave nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që janë mbajtur të dielën.
Deri më tash, Bashkimi Demokratik i Kroacisë (HDZ) është në epërsi, ndërsa pas tij janë Social-Demokratët.
HDZ është partia që ka udhëhequr Kroacinë gjatë viteve të turbullta për pavarësi nga Jugosllavia, 25 vjet më parë.
Qeveria e mëparshme e koalicionit, midis HDZ-së dhe partisë Most, ka kolapsuar pas vetëm pesë muajsh, për shkak të grindjeve për reformat në administratën publike dhe emërimet qeveritare.
Bashkimi Evropian do që Kroacia, anëtari më i ri i tij, të zbusë borxhin e lartë publik, të ulë deficitin buxhetor, të ristrukturojë administratën publike dhe të përmirësojë klimën biznesore, me qëllim rritjen e ekonomisë, e cila ende dominohet nga ndërmarrjet shtetërore. /Rel/