Kosova përveç fenomenit të emigrimit të shumë qytetarëve drejt vendeve të BE-së, ajo përballet edhe me një numër të madh të vdekjeve që ndodhin brenda vitit.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2019 janë raportuar 10 mijë e 560 vdekje, ku prej tyre 9 mijë e 430 kanë ndodhur në Kosovë kurse 1 mijë e 130 kanë ndodhur jashtë Kosovës.
Nga gjithsej vdekjet e raportuara gjatë vitit 2019 të ndodhura vetëm në Kosovë, 5 mijë e 105 raste janë meshkuj, dhe 4 mijë e 325 janë femra, shkruan Telegrafi.
Kurse nga janari i këtij viti e deri në shtator 2020, në Kosovë kanë ndodhur 8 mijë e 30 vdekje.
Por krahasuar me vitin e kaluar, me të njëjtën periudhë kohore janar-shtator, ku ishin regjistruar 7 mijë e 334 vdekje, del se këtë vit kemi pasur rritje të rasteve të vdekjes për 696 raste më shumë.
Nga 8 mijë e 30 vdekje të ndodhura në nëntë mujorin e këtij viti, 4 mijë e 414 raste janë meshkuj, kurse 3 mijë e 616 janë femra.
Duke marrë parasysh situatën me pandeminë COVID-19 me të cilën po përballet vendi ynë, prej 8 mijë e 30 vdekjeve në nëntë mujorin e këtij viti, 784 vdekje janë shënuar si pasojë e COVID-19. /Telegrafi/