Site icon Telegrafi

Në Kosovë organizohet ‘Kayak Fest 2024’

Për herë të parë në Kosovë, Klubi i Kajakut të Egër në bashkëpunim me Federatën për Kajakim të Kosovës organizojnë festivalin e kajakut “Kayak Fest 2024”.

Ky festival sportiv do të mbahet në javën e dytë të gushtit në Liqenin e Batllavës, duke ofruar një përvojë të paharrueshme për të gjithë adhuruesit e sporteve ujore ka njoftuar Klubi i Kajakut të Egër.

‘Kayak Fest 2024’ synon të promovojë kajakimin si një aktivitet rekreativ dhe sportiv në Kosovë, duke ofruar mundësinë për të gjithë pjesëmarrësit që të përjetojnë emocionet dhe adrenalinën e këtij sporti të mrekullueshëm.

Festivali do të përfshijë aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat dhe nivelet e aftësive, duke filluar nga sesionet e trajnimit për fillestarët, garat për profesionistët, deri te aktivitetet argëtuese për fëmijët.

Liqeni i Batllavës, i njohur për bukurinë e tij natyrore dhe ujërat e qeta, ofron kushtet ideale për zhvillimin e një festivali të tillë. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të eksplorojnë mjedisin e bukur përreth liqenit, të marrin pjesë në aktivitete sociale dhe të shijojnë një atmosferë festive.

‘Kayak Fest 2024’ do të mbahet nga data 9 deri 11 gusht 2024, në Liqenin e Batllavës, te Plepat. Ky festival pritet të tërheqë qindra entuziastë të kajakimit nga Kosova dhe rajoni, duke ofruar një hapësirë për ndarjen e përvojave dhe për krijimin e lidhjeve të reja në komunitetin e kajakut.

Organizatorët e festivalit kanë planifikuar një program të pasur me aktivitete që do të përfshijë gjithashtu gara emocionuese, muzikë, kamping, ekspozita të pajisjeve të kajakimit, si dhe ushtrime rreth teknikave dhe sigurinë në kajakim.

Për fëmijët do të ketë zona të veçanta lojërash dhe aktivitete edukuese për të nxitur dashurinë e tyre për natyrën dhe sportet ujore.

“Kayak Fest 2024 është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e kajakimit në Kosovë. Ne dëshirojmë të krijojmë një event që jo vetëm promovon sportin dhe aktivitetet ujore, por edhe ndihmon në forcimin e komunitetit tonë dhe rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e natyrës. Presim me padurim të mirëpresim pjesëmarrës nga e gjithë Kosova dhe rajoni për një javë të mbushur me emocion dhe aventurë”, ka thënë Shkrep Balidemaj, koordinator i festivalit.

Për më shumë informacion mbi ‘Kayak Fest 2024’ dhe për të bërë regjistrimin, vizitoni faqen zyrtare të festivalit ose kontaktoni organizatorët përmes rrjeteve sociale. Mos e humbisni këtë mundësi unike për të përjetuar emocionet e kajakimit dhe për të qenë pjesë e një eventi të madh sportiv në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version