Site icon Telegrafi

Në Kosovë të burgosurit e sëmurë po vdesin duke pritur mëshirën e gjykatave

Të burgosurit që vuajnë nga sëmundje të rënda po rrezikohen të vdesin prapa grilave, pasi kërkesat e tyre nuk po shqyrtohen shpejt nga Gjykatat e Kosovës.

Një rast i tillë ka ndodhur muajin e kaluar, kur i burgosuri F.B. me sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë në Burgun e Dubravës.

Juristi Niman Hajdari nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës në Institucion e Avokatit të Popullit, ka shpjeguar për KosovaPress se kompetenca për pezullimin e përkohshëm të vuajtjes së dënimit ka kaluar tek Gjykata Themelore, me ç’rast siç thotë ai kërkesën mund ta bëjë vet personi, shefi i institucionit ku bëhet dënimi apo Shërbimi Korrektues.

Sipas tij, Departamenti i Torturës ka bërë kërkesë për pezullimin e vendimit të ministres së drejtësisë Dhurata Hoxha, për tre të burgosur me sëmundje serioze në Burgun e Dubravës, mirëpo pas vizitës që iu kanë bërë këtyre personave kanë parë se kushtet e akomodimit dhe trajtimit janë përmirësuar.

“Pas kësaj vizite ne kemi dërguar kërkesë për masë të përkohshme ndaj vendimit të ministres për kthimin e tyre në këtë qendër, pasi që më herët ata ishin për shërim qoftë në institucione, qoftë në shtëpitë e tyre dhe me vendim të ministres ishin kthyer në këtë institucion për vuajtje të dënimit. Duke parë gjendjen e tyre, ne kemi kërkuar që ai vendim të pezullohet, t’i vendoset në fakt një masë e përkohshme dhe ata të dërgohen në këto qendra për shërim të mëtutjeshëm ose të dërgohen tek familjet e tyre. Mandej kemi vizituar sërish këtë person dhe kemi hasur në një situatë krejt ndryshe. Kushtet e akomodimit dhe të trajtimit ishin përmirësuar dukshëm”, tha ai.

Sa i përket vonesës së shqyrtimit të ankesave nga gjykata, Hajdari thotë se është përgjegjësi e shtetit që të kujdeset për të drejtat themelore të personave të privuar nga liria, përderisa janë në këto institucione.

Ai thekson se Institucioni i Avokatit të Popullit konsideron defekt mungesën e përcaktimit të afatit për shqyrtimin e ankesave nga Gjykata Themelore.

“Ne mendojmë si institucion se meqenëse ligji nuk ka paraparë një afat brenda të cilit duhet të shqyrtohet ankesa apo kërkesa për pezullim të dënimit të përkohshëm, gjykatat në këtë rast duhet të jenë shumë më ekspeditive dhe t’i trajtojnë këto lëndë shumë më shpejtë meqenëse bëhet fjalë për personat të cilët janë të privuar nga liria dhe kanë gjendje shëndetësore shumë të rëndë. Me këtë vendim, ato do t’i kontribuonin respektimit të së drejtës së tyre themelore të secilit person të privuar nga liria, do të thotë të drejtës për shërbime adekuate mjekësore”, tha Hajdari.

Por zyrtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë mohojnë te ketë vonesa në shqyrtim të kërkesave të të burgosurve.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ankesat në rastet e paraburgimit i shqyrton brenda 24 orëve, ndërsa në rastet tjera, nëse i dënuari gjendet në vuajtje të dënimit mund të parashtrojë në Gjykatë kërkesë për pezullimin e ekzekutimit të dënimit që të shërohet jashtë objektit të Qendrës Korrektuese”, thuhet në përgjigjen e tyre nëpërmes postës elektronike.

Shqetësim për rastet kur nuk shqyrtohen kërkesat e të burgosurve kur është fjala për sëmundjet ka shprehur edhe KMDLNJ.

Kryetari i Këshillit Behxhet Shala, ka thënë se janë të pakënaqur me punën e komisionit që merret me shqyrtimin e kërkesave.

“Deri tash nuk jemi të kënaqur me punën e komisionit shkaku që i kanë neglizhuar kërkesat, edhe të Shërbimit Korrektues të Kosovës, të avokatëve dhe të familjarëve të të dënuarve dhe të organizatave që merren me mbrojtjen e personave të privuar nga liria, të cilët kanë qasje në këto institucione”, tha Shala.

Më tej ai ka shtjelluar çështjen e të burgosurve në moshë të shtyrë e që janë të sëmurë, për të cilët ka thënë se KMLDNJ nuk sheh arsye që ata të mbahen në burg, pasi që ata kanë kryer një pjesë të dënimit.

“Janë raste shumë të rralla që një i dënuar shkon si fillestar në moshën 70 vjeçare në burg. Kryesisht janë ata të dënuar që e kanë vuajtur një pjesë të madhe të dënimit dhe këtu duhet, në përputhje me veprën, të dëshmohet një dozë humanizmi duke ua shkurtuar dënimin apo duke i liruar sepse ka raste kur ka qenë një i dënuar total i palëvizshëm dhe i ka nxjerrë probleme Shërbimit Korrektues sepse është dashur të ruhet nga personeli shëndetësor, por edhe me polic. Kështu që ato raste duhet të trajtohen me një urgjencë dhe në përputhje me moshën dhe gjendjen shëndetësore, por edhe me peshën e dënimit, nëse jo të lirohen krejtësisht, t’iu shkurtohet dënimi në mënyrë që sa më shpejt të dalin nga burgu”, tha Shala.

KosovaPress ka tentuar të marr një përgjigje edhe nga Shërbimi Korrektues për të mësuar se sa kërkesa ka pasur prej të burgosurve që janë të sëmurë dhe sa prej tyre nuk kanë marr përgjigje.

Mirëpo as pas dy javësh të dërgimit të pyetjeve nga KosovaPress askush nga Shërbimi Korrektues nuk ka dhënë përgjigje. /Telegrafi/

Exit mobile version