Pavarësisht disa iniciativave dhe deklaratave të disa përfaqësuesve politik, ende nuk është bërë asgjë konkrete lidhur me Ligjin për lustrim. Njohës të sistemit të drejtësisë në Kosovë, konsiderojnë se ende nuk ka një klimë të favorshme politike në Kosovë për procedimin dhe miratimin e këtij ligji.
Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale, tha se Kosova që nga përfundimi i luftës është dashur që ta ketë atë ligj, por diçka e tillë tani është e pamundur.
“Është e pamundur të behët lustrimi sepse akoma në Kosovën tonë nuk është ndërtuar një sistem juridik, një prokurori, një gjyqësi efektive autonome profesionale dhe me ndërgjegje. Kështu që t’i hyhet kësaj pune, pra punës së lustrimit në këtë mjedis çfarë është tash, me këtë politizim ekstrem të skajshëm të të gjitha segmenteve, mjerisht edhe të policisë dhe hetuesisë, Prokurorisë e gjykatës, dëmi do të ishte shumë më i madh sesa dobia”, tha Salihu.
Profesori Salihu tha po ashtu se do të ishte më mirë që të pritet edhe disa vjet derisa të krijohen rrethanat për një ligj të tillë.
“Edhe ashtu situata nuk është mirë. E shihni gjendjen midis partive, e shihni përbërjen e Kuvendit dhe Qeverisë, krejt është fragjile. Po t’i hyhet kësaj pune dhe të nxirret një ligj për ilustrim, do të behej çrregullim edhe më i madh në skenën politike dhe në terë sistemin e drejtësisë. Kështu që më mirë është që të pritet edhe pesë apo dhjetë vjet tjera”, tha Salihu.
Nga ana tjetër, në Shoqatën e ish- të Burgosurve Politik, nuk e dinë se përse deri më tash Kosova nuk e ka një ligj të tillë.
Kryetari i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e lustrimit në Kosovë është e vonuar. Ai, madje, e vlerëson Kosovën si një rast të veçantë në këtë çështje.
Sipas tij, një ligj i tillë është kërkuar në forma të ndryshme, me iniciativa e propozime, kërkesa e programe legjislative, por ende nuk ka ndodhur asgjë konkrete në drejtim të hartimit dhe miratimit të tij.
“Edhe pse Kosova ka pasur më shumë arsye se vendet tjera ta trajtojnë siç duhet këtë problematikë, kjo nuk ka ndodhur. Kosova ka qenë vendi me shkallën më të lartë edhe të represionit politik në vazhdimësi, pastaj edhe të pasojave të konfliktit të armatosur të luftës në Kosovë dhe asaj që i ka paraprirë gjithë kësaj që ka ndodhur”, tha Hyseni.
Hyseni tha se shoqata kërkon që kjo çështje nuk duhet të zvarritet më.
“Kjo çështje është detyrë e institucioneve të Kosovës dhe Qeveria duhet të marr përvojat e vendeve të tjera, të bëj propozimet e ligjeve dhe të inkorporoj në këtë projekt dhe në këtë proces të interesuarit, faktorë të ndryshëm që mund të ndihmojnë shumë, jo në kuptimin e dramatizimit e tensionimit, po përkundrazi të absorbimit dhe zgjidhjes në mënyrë konstruktive në funksion të së ardhmes”,tha Hyseni.
Ndryshe, Këshilli i Evropës ka aprovuar kohë më parë dy rezoluta me anë të të cilave kërkon që gjatë hartimit të Ligjit të lustrimit të respektohen parimet e një shteti ligjor, zbatimi i ligjeve të lustrimit, apo të masave administrative përkatëse.
Sipas këtyre rezolutave, disa nga orientimet themelore duhet të jenë: lustrimi të drejtohet kundër rreziqeve që kanosin respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe proceset demokratike; hakmarrja nuk duhet të jetë objektiv i këtyre ligjeve dhe duhet të evitohet përdorimi i tyre për qëllime politike e sociale; lustrimi nuk duhet të ketë për qëllim të sanksionojë prezumimin e fajtorëve, por të mbrojë demokracinë e re që lind.
Në Kosovë, lustrimi është një term jo shumë i njohur politik. Ky nocion rrjedh nga fjala latine – lustrato, lustrare, që do të thotë pastrim. Në literaturë, lustrimi ka dy kuptime: kuptimin historik dhe atë modern.
Si term historik, lidhet me ritet e romakëve dhe grekëve të lashtë nga pastrimi i mëkateve. Ndërsa, versioni modern lidhet me kufizimin e përkohshëm të spiunëve dhe informatorëve të policisë sekrete në detyrat e shërbimit civil, në procesin e dekomunizimit të një vendi. /rel/Telegrafi/