Telegrafi

Në Kosovë po shënohet rënie e natalitetit

Në repartin i neonatologjisë që vepron në kuadër të Klinikës Gjinekologjike të QKUK-së, referohen shtatzënat me rrezikshmëri të lartë, siç janë: lindje para kohe si dhe fëmijë të rrezikuar nga sëmundjet trashëguese nga prindërit, tha Minavere Hoxha, shefe e repartit të neonatologjise.

Në kuadër të kësaj klinike funksionon njësia e kujdesit intensiv neonatal ku brenda vitit trajtohen rreth 2 mijë pacientë, ndërsa në kliniken gjinekologjike, për një vit, shënohen rreth 11 mijë lindje thotë Hoxha.

“Në vitin 2000 ka qenë një numër prej 12 mijë e 300 lindjeve dhe gradualisht ka pësuar një rënie po këto vitet e fundit sillet rreth 11 mijë lindje brenda vitit. Krahasuar me numrin e lindjeve në mbarë Kosovën kemi pasur diku rreth 38 mijë lindje. Hetohet rënie diku në 28 mijë, do të thotë gati 10 mijë lindje regjistrohen në Kosovë”, tha Hoxha.

Nga viti 2000 kemi një rënie të lehtë edhe te mortalitetit, thekson Hoxha.

“Në vitin 2000 kanë vdekur 31 fëmijë në çdo 1 mijë të lindur të gjallë, ndërsa në vitin 2008 kanë vdekur 13 fëmijë”, shtoi Hoxha.

Megjithatë, problemet në vazhdimësi e përcjellin këtë repart e që rrezikon edhe jetë fëmijësh, thotë Hoxha.

“Kemi pajisje të cilat i përdorim që 30 vite. Disa inkubator të cilët nuk kanë rregullatorë të temperaturës e të cilët mund t’i rrezikojnë foshnjat. Ne i kemi rreth 55 foshnjë që kanë nevojë për kujdes intensiv, të cilat kanë nevojë edhe për inkubator, e ne shërbehemi vetëm me 20 inkubatorë”.

Drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Ali Sadria, premton përkrahje për zgjidhjen e problemeve ekzistuese.

“Ne do të mundohemi të reflektojmë maksimalisht, sepse patologjitë janë të asaj natyre që na obligojnë të reflektojmë. Ne shpresojmë se me këtë hap do të zvogëlojmë mortalitetin e foshnjës së porsalindur”, tha Sadria.

Me qellim të uljes se mortalitetit, kemi bashkëpunim të mirëfilltë edhe me nënat e foshnjave thotë Dr.Hoxha. Ndodhë që një nënë e fëmijëve trenejçe të kujdesej për foshnjën e saj të vetme të mbijetuar.

“Tre i kam pasur, po tash e kam vetëm një, e ata kanë pasur një peshë shumë të vogël edhe s’mujten me e përballu, e ky po më doket pak ma mirë, se peshën e lindjes e ka pas 245 g”, thotë një nënë.

Dr.Hoxha kërkon nga njerëzit e vullnetit të mirë që të kontribuojnë edhe nga buxheti familjar që të ndihmojnë foshnjat e porsalindura, të cilat kanë nevojë për trajtim mjekësorë. /RTK/