Site icon Telegrafi

“Në Kosovë mund të ndodhin sulmet nga terroristë të fjetur”

Sulmet me kallashnikovë e bomba janë metoda tipike për të cilat organizata terroriste ISIS tanimë ishte e përgatitur, shpreh eksperti i sigurisë, Agim Musliu, në Rubikon të KTV-së, ku u debatua për terrorizmin dhe sulmet në Turqi.

“Mua më çudit fakti si kanë arritur sulmuesit me një taksi brenda aeroportit Ataturk. Kjo do të thotë që përgatitja e tyre ishte shumë e gjatë dhe shumë e kujdesshme. Ka mundësi që edhe taksi është detyruar ose ka qenë pjesë e planit të tyre”, ka thënë Musliu.

Lufta e ashpër që po ndodh në territorin e ISIS-it dhe humbjet e tyre atje janë një ndër arsyet pse kjo organizatë po sulmon vendet e tjera të botës, duke i shtuar kësaj edhe hakmarrjen e tyre ndaj botës, ka thënë eksperti i sigurisë, Shkelzen Marevci.

“Jemi të fuqishëm në çdo kohë dhe në çdo vend është mesazhi që ISIS po i përcjell botës”, ka thënë ai.

Opinion të rrezikshëm e cilëson Marevci ndërlidhjen e islamit me terrorizmin pasi, sipas tij, persona që kanë frikë nga islami dhe injoranca e tyre për fenë përcjellin të tilla opinione.

“Sulmet në Kosovë ka mundësi të ndodhin nga terrorist të fjetur”, potencoi ai.

Pasojat e sulmeve në çdo vend të botës ndikojnë kudo, madje edhe në Kosovë, edhe pse jo në mënyrë direkte, shprehet Skender Prestreshi nga QKSS.

Vlerësimet e policisë së Kosovës në këtë aspekt janë të vazhdueshme, shton Shqipe Mjekiqi nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Dukuria terrorizmit, ani pse nuk është e vonshme, nuk është as e hershme. Jo vetëm ne në Kosovë po mësojmë si të veprojmë, por edhe vendet e tjera. Kryesisht masat e ashpra janë zbatuar nga Policia e Kosovës, e cila ka arrestuar një numër të madh të atyre që ishin të përfshirë në veprime të tilla. Kemi ardhur në një situatë kur flasim për një numër zero të përfshirë në grupe radikale”, ka thënë ajo.

Vetëdijesimi i qytetarëve gjegjësisht familjarëve dhe bashkëpunimi me institucionet e rendit është rritur dhe përmirësuar dukshëm, sipas Marevcit.

“Qytetarët janë shumë të vetëdijesuar. Po flasim për raste të raportuara. Kemi rastin kur familja e ka raportuar rastin dhe ai person është ndaluar nga Policia e Kosovës”, ka thënë ai.

Exit mobile version