Disa kultura bujqësore, të cilat për t’u kultivuar kërkojnë temperatura tëngrohta, viteve të fundit kanë filluar të kultivohen edhe në vendin tonë, pavarësisht se temperaturat gjatë dimrit arrijnë në minus gradë celsius. Njëra ndër to është limoni, për kultivimin e së cilës fermerët në vend kanë gjetur edhe mënyrën se si ta rrisin atë, pasi që kanë parë se kultivimi i saj është i leverdishëm dhe po ashtu është njëra ndërkulturat më të kërkuara në treg.
Isret Morina nga Drenovci i Malishevës, që merret me veprimtari bujqësore, thotë se është i kënaqur me shitjen e kulturave të cilat i kultivon. Ky fermerë kultivon disa kultura si në fushë të hapur e po ashtu edhe në serrë. Njërën ndër kulturat që ai e kultivon në serrë është limoni, për të cilën thotë nuk e ka problem as shitjen.
“Kultivoj aktualisht speca domate e tranguj si dhe fidanë të ndryshme. Kam të mbjellë disa trupa të fidanëve të limonit dhe të arrave”, ka treguar ai. Fermeri Morina thotë për portalin “Ferma Ime” se të gjitha kulturat që i kultivon, janë të kërkuara në treg. “Nuk kam problem me treg pasi që të gjitha shiten dhe vetëm gjatë verës kam shitur disa fidanë të arrave dhe të limonit të cilat i kam shartuar vetë. Mendoj të vazhdojë edhe më tej të rrisë kultivimin e tyre pasi po ka shitje epo ashtu edhe leverdi nga kjo punë”, tha ai.
Isret Morina tregon se është përkrahur më herët nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), me një serrë prej 5 arëve. “Ministria më ka përkrahur me një serrë por është e vogël sepse ka vetëm 5 ari. Un kam aplikuar edhe për një serrë tjetër prej 10 ari, por ende nuk ka asgjë dhe tashmë jam duke pritur se a do të më përkrahin a jo ende nuk e di”, tha ai. Sipas tij nëse rritet përkrahja për fermerët si dhe për të konkretisht, ai ka plane për t‘i rritur sipërfaqet kultivuese.
Ndryshe, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), edhe këtë vite do të vazhdojë përkrahja e fermerëve nëpërmjet formës së granteve investive dhe subvencioneve. Po ashtu, sivjet fermerët do të përkrahur me nga 300 euro për çdo hektarë të mbjellë me perime. /FermaIme/Telegrafi/