Qytetarët e Luginës së Preshevës të cilët jetojnë në Kosovë për shkak se nuk kanë shtetësi po përballen me vështirësi të ndryshme, duke përfshirë shërbimet mjekësorë e madje edhe pensionet.
66 vjeçari Xhemail Ibrahimi nga Komuna e Bujanocit, jeton ne qytetin e Gjilanit. Ndonëse e ka arritur moshën e pensionimit, nuk merr asnjë lloj pensioni sepse nuk ka shtetësi as te Kosovës e as te Serbisë.
“Unë i kam 66 vjet, por dokumente nuk kam momentalisht. S’marr asnjë pension as kurrgjë, se s’kemi dokumente… Duhet të presim edhe pesë vjet e pastaj me u bo diçka. Unë i kam 66 vjet edhe 5 vjet i bëj 71. Deri në atë kohë a jetoj a nuk jetojë”, shprehet për RTV Dukagjinin, Xhemail Ibrahimi.
Nebi Rexhepi, po ashtu qytetar nga Lugina që jeton në Kosovë, thotë se mungesa e dokumenteve po u sjell probleme në marrjen e shërbimeve mjekësore, përcjell Telegrafi.
“Unë te mjeku veç privat shkoj. Te shërbimet shtetërore nuk shkoj, se aty nuk më kontrollojnë. Shkoj te mjeku privat, ia jap 10 a 15 euro. Sa ta kanë kontrollin paguaj… Në shëndetësinë publike nuk më marrin në dorë se nuk kam nënshtetësi të Kosovës. Na jemi azilant këtu. Kinez jemi këtu. A e din çka janë kinezët?! Të tillë jemi ne të Luginës së Preshevës”, deklaroi Nebi Rexhepi.
Kryeministri i vendit Avdullah Hoti, dite me pare ka deklaruar se Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e “Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës”.
E Enver Haziri, thotë se presin qe problemet e tyre si shqiptarë te zgjidhen nga kjo zyre.
“Unë konsideroj që kjo zyre fillimisht të bëhet në koordinim të plotë me përfaqësuesit institucional të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës dhe të trajtoi çështje me kruciale të cilat janë aktualisht. Unë i bëj apel edhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, që ketë zyre përpos që ta bëj në nivel shumë të lartë politik shefin e kësaj zyre, por edhe stafin mbështetës ta ketë shume profesional sepse problemet janë shumë delikatë dhe të shumta në numër”, deklaroi Enver Haziri.
Në mbledhjen e përbashkët te Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për ngritjen e fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës./RTV Dukagjini/Telegrafi/