Site icon Telegrafi

Në korrik më shumë se 1 milion e 164 mijë hyrje-dalje Kosovë-Shqipëri

Në vendkalimet kufitare Shqipëri-Kosovë korriku i vitit 2016 shënoi më shumë se 1 milion e 164 mijë (gjithsej 1,164,105) hyrje-dalje të personave, 12 për qind më shumë krahasuar me korrikun 2015, kur kishte 1,033,148 hyrje-dalje.

Në korrik 2016 kishte 292,784 hyrje-dalje të automjeteve, 6 për qind më shumë se në vitin 2015, kur kishte 275570, bëri të ditur sot pasdite Policia e Kosovës.

Po sipas këtij burimi zyrtar, në korrikun 2016, të kësaj vere me vapë e sezoni pushimesh me fluks të rritur drejt bregdetit shqiptar, vetëm në dalje nga Kosova në Shqipëri kishte 530,623 persona, 113,543 vetura, 4,192 autobusë, 6,103 kamionë. Ndërsa, vetëm në hyrje nga Shqipëria në Kosovë kishte 633,482 persona, 156,723 vetura, 4,898 autobusë, 7,325 kamionë.

Policia kosovare ka bërë të ditur për ATSH se, në tre venkalimet kufitare Shqipëri-Kosovë, në Vërmicë-Morin, Qafë Morinë dhe Qafë Prush, qershori 2016 me më shumë se gjysëm milioni – gjithësej 507,886 hyrje-dalje të personave kishte rritje fluksi për 1.52 për qind karahauar me qershorin 2015, kur kishte 500,288 hyrje-dalje.

Fluks edhe më i madh se në qershor e korrik pritet në muajin gusht, i cili që në orët e ditët e para ka nisur me kolona në vendkalimin kryesor nëpër autostradën e kombit – në Vërmicë-Morin e në venkalimet tjera, e me mot me shumë diell e vapë.

Gjithnjë sipas njoftimeve për ATSH të Policisë kosovare, gjatë tre muajve të verës 2015 – qershor, korrik e gusht, mes Shqipërisë e Kosovës kishte më shumë se 2.7 milionë (2,732,089) hyrje dalje të personave.

Në këtë verë të 2016-tës, më 7 korrik në kufirin Shqipëri-Kosovë u nënshkruan procedurat e përbashkëta të kontrollit kufitar në pikëkalimin kryesor nëpër autostradë Morinë-Vërmicë, në territoret respektive. Nënshkrimi u bë në anën kosovare, Vërmicë, nga dy drejtorët e përgjithshëm të policive, i Shqipërisë Haki Çako dhe i Kosovës, Shpend Maxhuni.

Më 29 qershor, qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për pikë të përbashkët të kontrollit kufitar me Republikën e Shqipërisë, në sezonin veror.

Më 1 korrik ka nisur organizimi i shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror, deri në 31 gusht, sipas memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në 30 qershor në Prizren nga drejtorët e përgjithshëm të policive të Shqipërisë e Kosovës, Çako e Maxhuni.

Exit mobile version