Telegrafi

Në komunën e Gazi Babës diskriminohet një shqiptar në bazë gjuhësore

Në raportin e Komitetit të Helsinkit, për muajin mars, thuhet se Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi ka vërtetuar diskriminim në bazë gjuhësore në sferën e punës dhe marrëdhënieve të punës në komunën e Gazi Babës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Rasti ka të bëjë me një të punësuar në këtë komunë, i cili disa herë është diskriminuar nga ana e një udhëheqësi sektori, që ia ka ndaluar të punësuarit që të përdorë gjuhën e tij amtare – gjuhën shqipe në komunikimin joformal të përditshëm me kolegët e tij.

Personi ka marrë këshillime nga Komiteti i Helsinkit dhe i është drejtuar Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi. Ky komision ka vërtetuar rastin dhe ka kërkuar që komuna e Gazi Babës të mënjanojë këtë shkelje në afat prej 30 ditësh./Telegrafi/