Sot u zhvillua mbledhja e Komisionit për Kulturë pranë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në të cilën u prezantuan aktivitetet rreth menaxhimit me rajonin e Ohrit dhe gjendja me trashëgiminë natyrore dhe kulturore.
Ata referuan për aktivitetet e realizuara dhe ato vijuese në lidhje me Vendimin e Komitetit për Trashëgimi Botërore të UNESKO-s, për gjendjen me mbrojtjen e trashëgimisë botërore – Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e rajonit të Ohrit, miratuar në sesionin e 41-të të Komitetit për Trashëgimi Botërore, që u mbajt në Krakov të Polonisë në vitin 2017.
Prezantimin e bëri ministri i Kulturës, Asaf Ademi dhe kryetari i Komisionit për menaxhim me rajonin e Ohrit, Zoran Pavllov.
Në raport është shënuar se intensivisht është punuar për: Revizionin, gjegjësisht përgatitjen e Ligjit të ri për menaxhim me trashëgiminë botërore natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit, Revizionin e Planit për menaxhim me trashëgiminë botërore natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit dhe Vlerësimin strategjik për ndikimin në ambientin jetësor dhe për Planin për menaxhimin me trashëgiminë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit (2018-2027).
Projektligji është në diskutim publik, që do të zgjasë deri më 27 janar të vitit 2019, ndërsa Vlerësimi strategjik është në fazë përfundimtare.
Në lidhje me këtë, është përpiluar Plani për mbrojtje integruese të bërthamës së qytetit të vjetër të Ohrit, ndërsa do të vijojë edhe përpilimi i Strategjisë së re për zhvillim të turizmit, e cila do t’i plotësojë kriteret e kërkuara./Telegrafi/