Site icon Telegrafi

Në Kolegjin AAB, këtë premte përurohen librat Agron Shalës

Në Kolegjin AAB, të premten (11 tetor) në orën 11.00 dhe 11.30, Shtëpia Botuese “Armagedoni” përuron librin e Adil Ollurit, “Kthimi i profetit”, dhe dy librat e Agron Shalës, “Andrra në beze” dhe “Korça sipas një kosovari”.

Të dy veprat e Shalës janë vlerësuar lart nga njohësit e kulturës dhe letërsisë, por edhe nga lexuesit. Libri “Andrra në beze” është përmbledhje me njëzet ese nga kultura, në të cilat, siç sugjeron vetë titulli, pikënisje është analiza e filmit, për të vazhduar më tej me gërmimet e autorit nëpër disa fusha të veprimtarisë dhe dijes njerëzore, si: filozofi, psikologji, sociologji… ku e kaluara dhe aktualiteti shqiptar ndërthuren dhe trajtohen me një qasje të veçantë.

Në librin e dytë, “Korça sipas një kosovari”, Agron Shala ofron një këndvështrim personal mbi Korçën, qytetin që qysh në shekujt e largët, me zhvillimin, planin urbanistik, arkitekturën, objektet kulturore e historike, zakonet dhe personalitetet që dolën prej aty, tërhoqi vëmendjen e të huajve dhe u bë i njohur si “Parisi i Vogël në Lindje”. Libri në shikim të parë duket i konceptuar si një udhëpërshkrim, por brenda tij gërshetohen të gjitha tiparet që e bëjnë Korçën një Paris të vogël. Me një kompozicion të tillë, libri ngjan me një mozaik të punuar me mjeshtëri dhe dashuri, që merr trajtën e një monumenti që ngacmon kureshtjen e çdo lexuesi për ta njohur këtë qytet.

Në këtë përurim autorët do të flasin për procesin krijues të librave të vet, kurse librat e tyre mund t’i blini me 30 për qind zbritje.

Exit mobile version