Telegrafi

Në Klinikën Gjinekologjike 11 shtatzëna me COVID-19, njëra në gjendje më të rëndë

Drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, Jakup Ismajli ka bërë të ditur për Telegrafin se aktualisht në këtë klinikë po marrin trajtim 11 paciente me COVID-19.

Ismaili bëri të ditur se gjendja e 10 pacientëve është stabile, ndërsa njëra është në gjendje më të rëndë shëndetësore.

“Për momentin i kemi 11 paciente me COVID-19 të shtrirë në klinikën tonë. Gjendja është stabile me përjashtim të një pacienteje e cila është në gjendje më të rëndë shëndetësore”, theksoi për Telegrafin, drejtori i Klinikës Gjinekologjike.

Ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë përmes një video sensibilizuese u ka bërë thirrje thirrjeve shtatzënave, nënave gjidhënëse dhe grave që planifikojnë shtatzëni që të vaksinohen.

“Inkurajohen gratë shtatzëna, nënat gji dhënëse dhe gratë që planifikojnë shtatzëni të vaksinohen për të mbrojtur veten nga COVID-19!

Vaksinimi është detyrë qytetare dhe vetëm përmes vaksinimit mund të mbrojmë vetën, familjen dhe vendin”, thuhet në mesazh.

Ndryshe, të enjten në vend u raportua për 32 viktima nga COVID19 dhe 1,612 raste të reja. /Telegrafi/