Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale për gjashtë muaj janë kryer 180 operacione, ndërsa u tha se është e nevojshme që të zgjerohen hapësirat për këtë klinikë, në mënyrë që të ketë zgjerim edhe të numrit të shërbimeve që ofrohen në klinikë.
Drejtori përgjithshëm i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, bashkë me Agreta Gashi, kryesuese e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, kanë mbajtur takim pune me Kolegjiumin e Klinikës së Kirurgjisë Torakale, ku janë informuar lidhur me punën që po bëhet në këtë klinikë, sukseset, sfidat dhe kërkesat që kanë profesionistët shëndetësorë të kësaj klinike.
Nazmi Kolgeci, u.d. drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, i njoftoi ata lidhur me punën që është bërë në këtë klinikë, ku vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përkundër situatës me COVID-19, janë kryer 180 operacione të ndryshme.
Siç thuhet në njoftim kjo punë është kryer nga 13 kirurgë torakal dhe 3 specializantë, e po ashtu nga 20 infermier/e, por edhe nga stafi tjetër i anesteziologëve, me të cilët kanë bashkëpunim të mirë.
Sipas tij, është e nevojshme të zgjerohen hapësirat për këtë klinikë, në mënyrë që të ketë edhe zgjerim të numrit të shërbimeve që ofrohen në klinikë.
Valbon Krasniqi, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, theksoi se qëllimi i vizitës është të bashkëbisedojë lidhur me ecurinë e punës dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore.
Ndër tjerash, drejtori Krasniqi përmendi rëndësinë që ka edukimi i vazhdueshëm i profesional i stafit shëndetësorë, në koordinim dhe bashkëpunim institucional me qendrat e tjera.
Agreta Gashi, kryesuese e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, ofroi mbështetjen dhe përkrahjen e Bordit Drejtues për avancimin e shërbimeve shëndetësore në këtë klinikë. /Telegrafi/