Site icon Telegrafi

Në Klinë i këndohet lirisë

Edhe këtë vit, Klina si në çdo qershor qe gjashtëmbëdhjetë bëhet vend tubim i artdashësve të folklorit burimor shqiptarë të të gjitha trojeve etnike.

Ndërkaq, këtu vijnë qytetarë jo vetëm të lokaliteteve të Komunës së Klinës, por edhe nga e gjithë Kosova, Shqipëria, Tetova, Presheva, Medvexha, Malësia, Ulqini, po edhe nga Kalabria e viset tjera ku ka shqiptarë, e edhe nga diaspora.

Për tri ditë me radhë, më 6, 7 e 8 qershor i këndohet, lirisë, pavarësisë, trimërisë heroike të luftëtarëve të UQK-së e Komandantit të shquar të saj Mujë Krasniqit- Kapuçit. Kjo edhe dihet se pikërisht mbajtja e festivalit burimor folklorik përkon me ditëlindjen e Mujës.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se në këtë festival do të marrin pjesë këngëtarë, valltarë, rapsodë e instrumentistët më të mirë te të gjitha trojeve shqiptare.

“Drejtoria artistike seleksionimin dhe përzgjedhjen e grupeve dhe pjesëmarrësve në festival e ka filluar para tre muajve, ndaj edhe për çdo vit vijë vlera të reja të folklorit tonë të pashtershëm. Edhe sivjet është kështu. Ndërsa e veçanta e festivalit të sivjetshëm është se më 3 qershor hapjes së festivalit i parapriu marrshi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) të cilët pas homazheve te shtatorja Mujë Krasniqit u nisen drejt vendlindjes së Komandantit duke ecur deri të Kulla- muze në Çabiq”, thuhet në njoftim.

Drejtori i festivalit “I këndojmë Lirisë “, Prend Buzhala, thotë se të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë.

“Edhe sivjet kemi pjesëmarrës te të gjitha trojeve shqiptare, ku në skenë do të ngjiten për tri ditë rresht këngëtarë, valltarë e instrumentistë për të shpalosur vlera, e tradita kombëtare. Pjesëmarrja është masovike, do të jenë rreth 700 pjesëmarrës”, thotë Buzhala.

Në njoftimin për media, thuhet se edhe sivjet Festivali “I këndojmë Lirisë mbahet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota. Për tri net, këtu zhvillohen edhe aktivitete të tjera, promovime librash, ekspozita, orë letrare, tribuna shkencore e aktivitete të tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version