Telegrafi

Në klasë të parë që 5 vjeç, ministrja shqiptare sqaron vendimin

Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi u shpreh se propozimi i moshës minimale të hyrjes në klasë të parë, është keqinterpretuar, pasi fëmijët nuk detyrohen që të hyjnë në shkollë 5 vjeç.

“Në fakt qëllimi është krejt tjetër. Nisur në radhë të parë nga zhvillimi që kanë sot fëmijët. Por nisur dhe nga arsimi parashkollor që gjithashtu është zhvilluar, sot ne kemi fëmijë që moshën 6 vjeç e mbushin në tetor apo në nëntor, ndërkohë që ata kanë bërë klasën parashkollore, ndërkohë që ata janë shumë të zhvilluar ata dinë të lexojnë ata dinë të shkruajnë dhe prindërit e tyre po edhe ekspertët e gjykojnë humbje kohe dhe humbje të interesit të fëmijës nëse ne i lëmë edhe një vit tjetër për shkaqe që i pengon ligji”, ka thënë ministrja.

“Atëherë, ne kemi menduar që të drejtën për të hyrë në klasë të parë në shtator ta kenë të gjithë ata fëmijë që mbushin 6 vjeç deri në 31 dhjetor të këtij viti kalendarik”, tha ministrja.

Ajo shtoi se kjo është një kërkesë e ardhur nga shumë prindër që duan t’i fusin fëmijët e tyre në klasë të parë, por është pengesë ligjore.

Kjo është një praktikë që e kanë shumë vende të tjera, ka shtete që fillojnë madje që 5 vjeç klasën e parë. /Telegrafi/