Site icon Telegrafi

Në këtë mënyrë partitë shqiptare mund ta zhbllokojnë punën e Kuvendit

Bllokimi i Kuvendit të Maqedonisë është shndërruar në një traditë që lë për të dëshiruar. Me këto veprime vendi sa më tepër largohet nga funksionimi normal i institucioneve. OBRM-PDUKM gati një javë bën trysni në mos zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit dhe kjo si shkak që mos të mandatohet Zoran Zaevi si udhëheqës i qeverisë së ardhshme dhe për të vazhduar punën PSP-ja për të cilën edhe është formuar. Seancat konstituive janë duke u zhvilluar me replika dhe akuza nga OBRM-PDUKM, si ndaj LSDM-së dhe zbatimit të Deklaratës, sipas tyre, Deklarata e Tiranës që do të shkatërronte shtetin dhe karakterin unitar.

Deputetët shqiptarë deri më tani në foltoren e Kuvendit kanë folur më pak krahas deputetëve maqedonas. Shtrohet pyetja sesa ka qenë konstruktiv roli i deputetëve shqiptarë në zhbllokimin e Kuvendit. Kjo sipas opinionistëve dhe ish-deputetëve që i ka kontaktuar Telegrafi Maqedoni, del se roli i tyre ka qenë i zbehtë dhe se mosmarrëveshjet ndërmjet partive politike shqiptare, Gruevski e shfrytëzon me qëllim për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit për të mos u formuar qeveria dhe shkuarja në zgjedhje të reja.

Opinionisti Alajdin Demiri për Telegrafi Maqedoni vlerëson se bllokimi i parlamentit nuk është diçka e re, pasi sipas tij, BDI-ja ishte ajo që disa vite më parë e bëri të njëjtën gjë, por skenari tani është më serioz.

‘Bllokimi i parlamentit ose zgjedhja e kryetarit të parlamentit është një nga strategjitë të cilën OBRM-PDUKM që moti e ka përdorë, për arsye se vetëm ajo parti e di se ku do të arrijë, ndërsa të tjerët janë statistë dhe presin çfarë kurthe do tu përgatisë OBRM-ja. Kjo strategji është deja-vu në parlamentin e Maqedonisë për arsye se para disa viteve e bëri BDI-ja, mirëpo për dallim prej BDI-së, tani skenari është më serioz. OBRM-ja me asnjë kusht nuk do të lejojë që të formohet qeveria në të vërtetë dhe më pas të fillojë të veprojë PSP-ja. Kjo është përralla kryesore e gjithë kësaj. Tash në shërbim është duke e vendosur gjithë arsenalin e vet, protestuesit para, siç i quajnë ata, qytetarët. Deputetët brenda, të zgjedhurit e qytetarëve edhe duhet thënë se aktualisht megjithatë ata janë në qeveri. Qeveria teknike është qeveria e OBRM-PDUKM dhe BDI-së’, vlerëson Demiri.

Në lidhje me atë sesi duhet të veprojnë partitë shqiptare në bllokimin e parlamentit, Demiri thekson se partitë shqiptare nuk kanë alternativë dhe mundësi. Të vetmen mundësi të cilën mund ta shfrytëzojë është BDI-ja, e cila duhet ta paralizojë parlamentin, të tërheqë ministrat e vet, atëherë kryetari i shtetit detyrohet dikujt t’ia jep mandatin dhe të bëhet ose qeveri teknike ose qeveri politike. Mirëpo sipas Demirit, nuk ka gatishmëri nga ana e BDI-së të bëjë këtë gjest sepse hipotekat nuk e lejojnë atë.

‘Partitë shqiptare tash nuk duhet të bëjnë konfuzion plotësues. Ata ia kanë dhënë mundësinë që të merr mandat Zaevi, asaj t’i qëndrojnë deri në fund. Nga ana tjetër LSDM-ja duhet të tregojë hapa pak më guximtarë që ta tejkalojë këtë krizë. Transferi paqësor i pushtetit është parakusht i çdo shteti evropian. Partitë shqiptare deri më tani kanë qenë konstruktive, sepse nëse do të ndodhte e kundërta problemet do ishin edhe më të mëdha, por nga ana tjetër, shihen shenja të asaj lufte politike ndërmjet subjekteve politike shqiptare. Mendoj se ky moment nuk është i përshtatshëm. Nga ana tjetër subjektet politike shqiptare keqpërdoren nga OBRM-PDUKM për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit, prej krimeve që i kanë bërë ata’, vlerëson për Telegrafin njohësi i aktualitetit politik, Albert Musliu.

Për dalje nga ky ngërç kuvendor, Musliu potencon se ka mekanizma ligjor të cilat e mundësojnë daljen e vendit nga kriza, gjithsesi LSDM-ja t’i ushtrojë në koordinim me subjektet shqiptare. Nuk mund të dilet nga kriza pa një parlament konstituiv. Parlamenti konstituiv i tashëm ka një shumicë, ajo shumicë nuk duhet t’ia plotësojë dëshirën Gruevskit se me cilët çështje do të merret. Nëse vazhdon kështu deri në çdo cikël zgjedhor, nuk do të kemi më zgjedhje por vetëm keqpërdorim të institucioneve.

Të njëjtin mendim e ndanë edhe ish-deputeti nga radhët e PPD-së, Naser Ziberi, i cili për Telegrafi Maqedoni vlerëson se roli i partive politike duhet të jetë i koordinuar me LSDM-në që ta pengojnë bllokimin e Kuvendit.

‘Partitë politike parlamentare shqiptare, fillimisht duhet ta ruajnë bashkëpunimin dhe unitetin në mes vete sepse situata është jashtëzakonisht delikate dhe çdo konflikt eventual brenda tyre apo mosmarreveshje drejtpërdrejtë mund ta dëmtoj procesin e konstituimit të organeve dhe formimit të qeverisë. Çështja e dytë është që me veprimet e tyre të mos japin alibi plotësues OBRM-PDUKM-së që të vazhdojë me këtë mënyrë të veprimit, ku me çdo kusht kërkon ta zhvendosë vëmendjen nga problemet serioze me të cilat ballafaqohet Maqedonia, marrëdhëniet ndëretnike. Partitë politike shqiptare duhet të mbeten konsekuente me qëndrimin e tyre se duhet sa më shpejtë të krijohet shumica parlamentare, institucionet, të ndahet mandati dhe qeveria të vihet në funksion. Pastaj partitë shqiptare duhet të koordinohen me LSDM-në në mënyrë që të pengohet bllokimi i parlamentit, thotë Ziberi për Telegrafi Maqedoni.

Për sa i përket rolit sesa kanë qenë konstruktiv partitë politike për kaq sa kanë filluar seancat konstituive, Ziberi vlerëson se kanë mundur edhe më mirë, por seanca konstituive është pasojë e faktit që partitë politike shqiptare lejuan që Trajko Veljanoski të jetë udhëheqës i seancës konstituive. Sepse OBRM-PDUKM me apo pa pretekst e ka bërë të qartë se dëshiron ta bllokojë punën e parlamentit.

Përderisa deputetët ende vazhdojnë të diskutojnë mes tyre për akuzat dhe Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, si dhe për zgjidhjet e mundshme që mund të merren për të dalur nga kjo situatë, kritikat nga faktori ndërkombëtar çdo ditë e më shumë shtohen për zhbllokimin e Kuvendit ose në të kundërtën do të vijojnë sanksionet nga BE-ja. /Telegrafi/

Exit mobile version