Në takimin e asamblesë së SEE Cinema Network që u mbajt këtë javë në Tiranë, u vendos që të mbështeten tetë projekte nga vendet anëtare të rrjetit, e nga Kosova projekti fitues ishte ai i regjisores Norika Sefa.
Filmi flet për Venerën, një vajzë e re dhe e ndrojtur, e cila fillon të përjetojë një rrugëtim të ri në jetën e saj pasi njofton Dorinën. Ky përjetim e shtyn që nga një vajzë e ndrojtur të kthehet në një revoltë ndaj familjes së saj tradicionale, thuhet në përshkrimin e shkurtër të këtij filmi, në njoftimin për media të Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Ky është viti i parë që Kosova merr pjesë në këtë rrjet në të cilin është anëtarësuar vitin e kaluar në Selanik.
SEE Cinema Network e themeluar në vitin 2000, është rrjet i shteteve të Evropës Juglindore që synon zhvillimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të filmit dhe shteteve anëtare të saj duke mbështetur zhvillimin e koproduksioneve ndërkombëtare dhe prodhimin e filmave të shkurtër.