Site icon Telegrafi

Në kërkim të të fshehtave të një imazhi

Suzana Varvarica Kuka

Të përfundosh kërkimet mbi një libër, të nxjerrësh një libër nga dora, të botosh një libër nuk është thjesht një punë, por është një ngazëllim dhe madje kur titulli që të bie në dorë është i fushës tënde, atëherë mirëpret çastin që ta kryesh së lexuari.

Këto lloje ndjesish shkaktoi tek unë libri “Pikëllim në një foto të vjetër” i studiuesit Qerim Vrioni. Të kryesh një libër serioz studimor është rëndësi përtej dijes individuale, pasi i përket publikut serioz, që edhe pse i pakët në numër, interesohet të njohë kohën historike të një populli përmes punës krijuese të një individi që lë gjurmë.

Në këtë arsyetim, ky lloj libri është një pasqyrë transparente, ku shihet gjurma e lënë në histori e studiuesit Qerim Vrioni. Së pari, libri është i një lloji të veçantë, pasi studimi merr përsipër të shtrijë kërkimet, informacionet dhe njohuritë mbi një fotografi të vetme. Fotoja, edhe pse titullohet “Gjon Pali dhe e bija”, nxit te shikuesi i sotëm modern më shumë sesa një syhedhje mbi pozën e çastit të dy personazheve të fiksuara nga kamera e Kolë Macës.

Informacionet dhe njohuritë nuk janë ekskatedra, por të lënë shteg të interpretosh, sugjerosh dhe argumentosh si një mendim plus për punën serioze të studiuesit. Madje, përmes njohjes me materialin shkrimor, nuk mbetesh vetëm te vlerësimi, por kërkon të zhbirosh edhe më tej, duke konsoliduar dijet e sotme për artistin e fillim shek. XX, rreth kohës historike të kryerjes së imazhit fotografik dhe për autorin e librit.

Në këtë qark të parë, Vrioni nuk u shmanget aspak vështirësive fillestare, që kanë të bëjnë me biografinë e autorit të fotos dhe ia ka dalë me shumë sukses, pasi përmes librit shkodrani Kolë Maca duket se ka zënë një vend nderi dhe dëshmie të ekzistencës vetjake dhe punës së tij.

Po kështu, është sukses i arritur prej studiuesit, i cili gjatë kërkimit të botimit të imazhit, të fotos nga 1913 e këtej, arrin të na njohë me emrin e babait, të luftëtarit, malësorit, të plagosurit dhe të vrarit Gjon Pali, ku e bija është e pranishme.

Në një arsyetim të dytë për imazhin e vajzës mbi kokën e babait të saj të vdekur nga plagët e luftës, për vitin e parë të botimit të tij në 1913 në tekstin studimor të vitit 2018, studiuesi Qerim Vrioni qartëson se jemi në kohën historike të luftërave lokale në krahinën e pushtuar të Shkodrës dhe se gjatë zhvillimit të tyre Gjon Pali ka humbur jetën. Para fotos, thjesht dhe kthjellët e dimë se me çfarë kemi të bëjmë, por imazhi i fotografisë i shkëputur prej çka më sipër shkruaj, nuk na tregon plotësisht këtë.

Janë studimet e Qerim Vrionit për fotografinë, të cilat na pajisin me të dhëna të plota historike mbi veprën fotografike. Në këtë mënyrë, imazhi është diçka më shumë, është një dukuri e treguar prej një forme të aktit njerëzor, ku vdekja dhe jeta janë bashkë, që në tërësi shfaqen si përmbajtje realiste.

Në veçanti, përmbajtja realiste e kësaj vepre është themeli i një përmbajtjeje të transparencës së subjektit të veprës dhe ky themel përcaktohet nga koncepti realist i një vepre, dukuri kjo e trajtuar nga Gëzim Qendro në librin e tij “Heronjtë janë të uritur” e që i kushtohet analizës së një vepre të vetme “Çeta e Shahin Matrakut”, e piktorit Spiro Xega. Dhe, studiuesi Qerim Vrioni na sugjeron të kuptojmë konceptin e fotografisë realiste të Kolë Macës, që në këtë rast është transparenca e subjektit njerëzor apo analiza e marrëdhënies së jetës me vdekjen, ku shihet se vajza apo jeta ndjek vdekjen apo pamjen e fundit të babait të saj.

Studiuesi shkon më tej duke e bërë publikun aktiv dhe vëzhgues mbi një subjekt të rrallë, që u zgjodh nga Kolë Maca si një akt kryesor i njeriut. Në kërkimin e një vëzhgimi të tretë, studiuesi Qerim Vrioni kapërcen të thjeshtën, që përbëhet nga përshkrimi i subjektit të imazhit dhe koha historike e shkrepjes nga Maca.

Ai përqendrohet për t’i dhënë vlerë imazhit përmes veçimit të fotos si një send i çmueshëm estetik, që vjen nga e kaluara, por i përket së tashmes dhe asaj në të ardhmen, pasi dukuria e vdekjes së babait është e pazgjidhshme nga jeta e bijve të vetë. Dhe falë Zotit, fotografia është një art suprem i lidhur fortësisht me një të vërtetë të “harruar” ose të fjetur, që gjallërohet kur e prekim dhe e vështrojmë nxehtësisht për të zbuluar të gjitha detajet që ajo mban në sipërfaqen e vetë.

Së dyti, libri jo se nuk më lejon të merrem me sendet ose personazhet e fotografuara, por titulli i tij krijon tërheqjen e menjëhershme përmes fjalës trishtuese “Pikëllim”. Kjo fjalë që përshkruan një ndjesi njerëzore, në titullin e librit është një gjetje e suksesshme e studiuesit, i cili e ka trajtuar me sukses gjatë gjithë analizës në librin e tij. Ndërsa Gjon Pali dhe e bija janë sot një e “vërtetë” virtuale, pikëllimi i bijës është një e vërtetë reale e ekzistueshme në pambarimin e vetë, që përfshin breza të tërë dhe që shkaktohet nga dukuria e marrëdhënieve baba e bijë, të cilët në këtë imazh të vdekjes dhe jetës janë shkëputur me bindje nga studiuesi për të lënë një gjurmë të re të arsyetuar se: fotografimi është jo vetëm një akt i rëndësishëm dëshmues, por edhe një dukuri artistike.

Nëse paramendojmë se negativi i fotos ka një kënd më të gjerë, do të mohonim qëndrimin artistik të kompozimit të Macës, i cili duket se e ka anashkaluar çastin e ulërimës së bijës për vdekjen e babait dhe i ka dhënë kohë e ndjeshmëri përmes kërkesës së tij, që bija të afrohet sa më pranë trupit dhe vështrimin e saj ta orientojë mbi gjoksin e pajetë, aty ku frymëmarrja mbetet e ngrirë.

A është vajza në çastin e përshëndetjes me babanë e saj? A i është bindur vajza fotografit Maca? A e ka pritur Maca çastin e duhur të kryqëzimit të syve të bijës me frymëmarrjen e grirë të gjoksit pa jetë? Kjo nuk ka asnjë rëndësi. Bija e bukur sa s’ka më, është në çastin e shtangies së pikëllimit të ndjesive të veta që kapen fatlumësisht nga klisheja kompozicionale e Kolë Macës. Dhe kjo i ka shkaktuar studiuesit tingullin e gjetjes së titullit të librit: “Pikëllim në një foto të vjetër” dhe u ka dhënë studimeve për fotografinë shqiptare një jetë në vazhdimësi, një çast themeltar për njohje cilësore të trashëgimisë artistike të saj dhe realizuar në shek. XX.

Exit mobile version